Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka ndryshuar zyrtarisht mënyrën se si e klasifikon kanabisin, duke shënuar një moment të rëndësishëm në politikën e drogës në vend.

Sipas vendimit të ri, kanabisi, i njohur edhe si marijuana, nuk konsiderohet më një drogë shumë e rrezikshme siç ishte më parë, por është zhvendosur në një kategori më të ulët rreziku, ku përfshihen substanca që kanë përdorim mjekësor dhe kontrollohen nga shteti.

Ky ndryshim e vendos marijuanën në të njëjtin grup me disa barna që përdoren për trajtim mjekësor, si ilaçe që përmbajnë kodeinë.

Vendimi vjen pasi presidenti Donald Trump nënshkroi vitin e kaluar një urdhër ekzekutiv për të nisur këtë proces, me synimin për të lehtësuar kërkimin shkencor dhe aksesin ndaj kësaj substance.

Megjithatë, marijuana mbetet e paligjshme në nivel federal. Pavarësisht kësaj, shumica e shteteve amerikane e kanë legalizuar përdorimin e saj për qëllime mjekësore dhe në shumë vende ajo mund të blihet ligjërisht në dyqane të posaçme.

Top Channel