Shpërthimi pothuajse i njëkohshëm i lëvizjeve të forta anti-qeveritare në rajon ka bërë që të flitet për një “Pranverë Ballkanike”, si vala e protestave dhe revolucioneve që përfshinë botën arabe në vitin 2010.

Edhe pse asnjëra nga protestat e deritanishme nuk ka arritur të rrëzojë udhëheqësit e Ballkanit, ato kanë inkurajuar një rezistencë qytetare dhe kanë tronditur kontrollin e tyre të fuqishëm mbi pushtetin apo mbështetjen që u vjen nga Perëndimi.

Në Malin e Zi, zoti Gjukanoviç është përballur prej kohësh me akuza për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Videoja e fundit shihet si goditja më serioze ndaj qeverisjes së tij të deritanishme.

Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Associated Press, zoti Gjukanoviç i mohoi akuzat, duke thënë se pas protestave qëndrojnë partitë opozitare pro-ruse dhe “faktorët e huaj”, edhe pse protestat zyrtarisht drejtohen nga grupe qytetare.

Zoti Gjukanoviç la të kuptohet se protestat kanë për qëllim çarmatosjen e udhëheqësve pro Bashkimit Evropian dhe largimin e Ballkanit nga Perëndimi në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

“Unë mendoj se kjo në thelb nuk është një lëvizje “pranverore”, por një lëvizje e zymtë vjeshte,” tha ai. “Bëhet fjalë për të mos lejuar që Ballkani të bashkohet me BE-në”, tha Gjukanoviç.

Organizatorët e protestës në Mal të Zi këmbëngulin se demonstrimet përfaqësojnë një lëvizje të sinqertë qytetare pa ndonjë ndikim të huaj. Tubimet e tyre të përjavshme kanë tërhequr mijëra njerëz dhe janë më të mëdha në vite.

“Shkaku ishte ai zarf që u dha nga një biznesmen… me qëllimin për të blerë votuesit në zgjedhjet parlamentare të 2016-s, thotë Dzemal Peroviç, organizator i protestave në kryeqytetin malazez.

“Qëllimi ynë është ndryshimi i regjimit”, tha ai. “Një tranzicion paqësor nga një regjim i korruptuar që ka qenë në pushtet prej 30 vitesh dhe që i ka fituar zgjedhjet përmes ryshfetit dhe manipulimit.”

Që kur erdhi në pushtet në fund të viteve 1980, “Car Milo-ja”, siç quhet zakonisht në Malin e Zi, ka qenë president, kryeministër apo udhëheqës i partisë falë kalimit nga njëri post në tjetrin. Por ai ka qenë gjithashtu një aleat i rëndësishëm i Perëndimit në kundërshtimin e ndikimit rus në rajon dhe, para kësaj, në shkëputjen nga njeriu i fortë i Serbisë, Slobodan Milosevic gjatë luftërave të viteve 1990.

Edhe në Serbi, presidenti populist Aleksandar Vuçiç e portretizon veten si udhëheqës pro-evropian, ndërkohë që përballet me akuza për frenimin e lirive demokratike dhe të mediave në vend. Tensionet politike u rritën muajin e kaluar kur protestuesit hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror të zemëruar ndaj raportimeve të këtij stacioni, që ata thonë se është i njëanshëm.

Demonstruesit po kërkojnë dorëheqjen e zotit Vuçiç, zgjedhje të lira dhe më shumë demokraci. Ata kanë planifikuar një tubim të madh javën e ardhshme në Beograd.

Edhe Presidenti Vuçiç është përpjekur të minimizojë rëndësinë e protestave si një përpjekje e opozitës për të marrë pushtetin me forcë, ndërsa mediat pro-qeveritare i kanë quajtur udhëheqësit e opozitës si vegla të të huajve.

Në Shqipëri, partitë e opozitës vazhdojnë të protestojnë në rrugë që nga mesi i shkurtit, duke bërë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për zgjedhje të parakohëshme. Opozita e qendrës së djathtë akuzon qeverinë e majtë socialiste të kryeministrit Edi Rama për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar, akuza që qeveria i ka hedhur poshtë.

Protestat kanë qenë të dhunshme. Përkrahësit e opozitës disa herë janë përpjekur të hyjnë në ndërtesat e parlamentit ose të qeverisë në Tiranë ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe pompat e ujit për t’i shpërndarë.

“Tipar i përbashkët i të gjitha këtyre protestave është se njerëzit janë të pakënaqur me regjimet shumëvjeçare dhe të korruptuara, është zemërimi i grumbulluar për vite, në mos për dekada me radhë,” thotë analisti politik malazez Stevo Muk.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA