Shefja e ONM-së, në Tiranë. Ish-deputetët e PD-LSI ankohen për anëtarët e rinj të Drejtësisë

05/04/2019 15:00

Genoveva Ruiz Calavera, shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) preferoi të mos i jepte përgjigje pyetjes së Top Channel, se çfarë mendonte ajo për shpejtësinë me të cilën po ecën vettingu.

Në nisje të ditës së dytë të vizitës, ajo u takua me ish-deputetët e opozitës, Silva Caka, Klajda Gjosha, Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi, nga ku u përball me një lum ankesash për Reformën në Drejtësi.

Askush që ishte ulur në atë tavolinë nuk thotë se çfarë i kërkoi zonjës Calavera, e cila njëkohësisht mban edhe postin e drejtores për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian.

Ish-deputetët e opozitës, pas takimit kanë harruar mbi tavolinë një dokument të mbushur me pakënaqësi, sesi po ecën Reforma në Drejtësi.

Top Channel e disponon këtë dokument, nga ku që në fillim ish-deputetët e opozitës i ankohen zonjës Calavera për mënyrën sesi u zgjodh Arta Marku prokurore e Përgjithshme e përkohshme.

Ankesat kanë vijuar me anëtarin e KLP-së, Bujar Sheshi, si bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, përfshi çështjen e transferimit të prokurorëve që hetuan ish-ministrin Tahiri.

Po ashtu, ish-deputetët e opozitës kanë folur në këtë takim edhe për Donika Prelën, që sipas tyre është kontestuar gjatë vettingut. Për Donika Prelën, ata kanë thënë se dyshohet se i është hequr viza amerikane, fakt që nuk e ka reflektuar në formularin e vettingut.

Sipas ish-deputetëve të opozitës, kjo ka ardhur pasi Komisioni i Ligjeve ka adaptuar procedura që nuk ekzistojnë askund për të kapur sistemin.

Një tjetër shqetësim drejtuar Calaverës, që ish-deputetët e opozitës kanë ngritur, është gara për kryeinspektor të ILD-së, ku sipas tyre kandidatët Metani, Kokona dhe Gjonçaj kanë lidhje direkt me PS-në.

Nuk ka munguar në këtë takim edhe shpalosja nga ish-deputetët e PD-së të biografive të anëtarëve të KLP-së.

Deputetët e opozitës i kanë kërkuar shefes së ONM-së se, roli këtij organizmi në raport me Reformën në Drejtësi duhet ridimensionuar, në mënyrë që të respektohet maksimalisht rëndësia që i është dhënë ONM-së dhe rekomandimet e saj mos të zhvlerësohen.

Sipas bashkëbiseduesve të zonjës Calavera, transparenca lidhur me rekomandimet e ONM-së është zero, pasi nuk gjenden të publikuara në faqet e KPK-së, KPA-së apo KP-së.

Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka siguruar dokumentet e mëposhtme:

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA