Zgjedhjet lokale, PS konfirmon prezencën në konsultimet me Presidentin, Balla ironizon PD: “Depoja e molotovëve” qenka shprehur kundër, uroj që t’i thërrasin arsyes

27/10/2026 20:44

Presidenti Bajram Begaj ka nisur konsultimet për datën e zgjedhjeve vendore të vitit 2027.

Kreu i Shtetit ka ftuar partitë politike për konsultime të premten e 30 tetorit. Ftesa i është dërguar këtë të martë të gjitha partive që janë të përfaqësuara në parlament dhe krerëve të grupeve parlamentare, dhe pas konsultimeve me ta, Presidenti duhet të nxjerrë dekretin presidencial brenda afatit 6 nëntor.

Partia Socialiste njoftoi se ka pranuar ftesën e Presidentit Begaj për t’u bërë pjesë e konsultimeve për zgjedhjet e pranverës 2027, ndërkohë që ftesa është refuzuar nga Partia Demokratike. Kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Gazment Bardhi, e quajti teatër nisjen e konsultimeve për datën e zgjedhjeve.

“E përbuz me neveri këtë teatër politik. Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme”.
Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, konfirmoi pjesëmarrjen e Partisë Socialiste në diskutime, ndërsa i bëri thirrje opozitës të bëhet pjesë e tryezës.

“Çdo President i Republikës ka bërë të njëjtën procedurë, duke ftuar partitë politike për konsultimin e datës së zgjedhjeve. ‘Depoja e molotovëve’-SHQUP, qenka shprehur kundër kësaj tradite. Uroj që t’i thërrasin arsyes dhe të marrin pjesë në zgjedhjet vendore. Të kundërtën e kanë provuar në forma të ndryshme me bojkot, me vulë, pa vulë”.

Data e zgjedhjeve shpallet nga Presidenti, 9 muaj para përfundimit të afatit të mandatit të kryetarit aktual, ndaj 6 nëntori përllogaritet si afati fundor që kodi elektoral dikton për nxjerrjen e datës së zgjedhjeve, që duhet të jetë një e diel mes periudhës 15 prill-15 maj të 2027.

Top Channel