Do të shembet pallati 28-katësh në Golem. Ndërtuesi Enver Shala kërcënoi inxhinierët, në kërkim nga policia

05/04/2019 19:34

Instituti i Ndërtimit ka hartuar një relacion ku rekomandon prishjen e pallatit 28-katësh në vijën e parë të plazhit në Shkëmbin e Kavajës, në Durrës.

Sipas raportit, konstatohet se ky objekt ka probleme të shumta duke rrezikuar shembjen, ndërkohë që edhe leja e ndërtimit është shkelur. Si pasojë e këtij relacioni, drejtori i Institutit të Ndërtimit, inxhiner Agron Hysenlliu është kërcënuar nga pronari i pallatit, zoti Enver Shala, i cili është shpallur në kërkim policor.

Në fakt, historia e këtij pallati, i cili është me banorë, ka qenë e mbushur me probleme. Rreth dy vite më parë, konstruksionet metalike të 3 kateve të fundit shtesë që po u ndërtonin u shembën duke rrezikuar jetën e punëtorëve, por edhe të banorëve. Po në vitin 2017, Enver Shala u ndalua nga Policia e Durrësit dhe u hetua në gjendje të lirë për shkatërrim të pronës nga pakujdesia dhe shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.

Të njëjtit sipërmarrës i është prishur edhe një tjetër objekt, siç ishte kompleksi Kamelia në Durrës, në vitin 2013. Ai po ashtu është ndërtuesi i një tjetër pallati gati 30-katësh në afërsi të Portit të Durrësit, ku 8 kate shtesë janë pa leje. Disa herë janë ndërmarrë iniciativa nga autoritetet lokale dhe qendrore për të ndërhyrë në shtesat e kateve që ka bërë ky sipërmarrës në objektet e ndërtuara prej tij, por në asnjë rast nuk është vepruar.

Ndërkohë, kësaj radhe procedurat për prishjen e pallatit të famshëm të ndërtuar buzë plazhit në Shkëmbin e Kavajës po avancojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA