Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk thuhet se i ka propozuar një ofertë të re Britanisë së Madhe, për një shtyrje “elastike” 12-mujore të datës së “Brexit”-it, sipas një burimi të rëndësishëm në BE.

Por çfarë nënkupton shtyrje “elastike”? Plani i tij do të lejojë Mbretërinë e Bashkuar të shkëputet më herët nga BE-ja, nëse Parlamenti britanik do të ratifikonte një marrëveshje. Megjithatë, ky propozim duhet të rakordohet edhe mes udhëheqësve të BE-së, në samitin e javës së ardhshme në Bruksel.

Prokurori i Përgjithshëm britanik, Geoffrey Cox i tha “BBC”-së se nëse politika dështon, “shtyrja me gjatë do të jetë tejet e gjatë”.

Britania duhej të ishte shkëputur më 29 mars, siç ishte parashikuar fillimisht, ndërsa tashmë ka si afat të mundshëm 12 prillin, duke qenë se ende nuk është miratuar marrëveshja e tërheqjes nga ligjvënësit.

Konservatorët e laburistët në Britani, ndërkohë, pritet të vijojnë bisedimet e tyre rreth “Brexit”-it. “Downing Street” ka njoftuar se bisedimet “teknike” mes laburistëve dhe konservatorëve gjatë së enjtes ishin “produktive” dhe se do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj të premteje.

Kryeministrja Theresa May është shprehur më herët se një shtyrje e mëtejshme e datës së “Brexit”-it është e nevojshme, nëse Britania do të kërkojë të shmangë shkëputjen nga BE-ja pa marrëveshje, një skenar të cilin, udhëheqësit e BE-së dhe ligjvënës britanikë e shohin si tejet problematike për të dyja palët, e veçanërisht për bizneset apo operacionet nëpër porte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA