Këtë të martë pritej të jepej pretenca ndaj Klement Balilit, në procesin gjyqësor ku akuzohet për trafik droge, pas dy dështimeve të mëhershme gjatë muajit mars.
Por, megjithëse prokurori i çështjes Eneid Nakuçi i ka konkluzionet dhe pretencën gati prej së paku dy seancash, procesi i shpalljes së pretencës këtë të martë dështoi sërish. Ashtu si në dy seancat e mëparshme, kur nuk ka qenë e mundur diçka e tillë, edhe këtë herë shkak është bërë mungesa e të pandehurit dhe e avokatit mbrojtës.
Klement Balili ka munguar gjatë dy seancave të mëparshme, sikurse edhe avokati i tij mbrojtës Theodhori Sollaku, i cili në njërën prej tyre paraqiti raport mjekësor, ndërsa në të dytin nuk dha asnjë justifikim për mungesën. Në seancën e sotme, avokati mungonte pa shkak sërish, gjë për të cilën edhe u gjobit me 10 mijë lekë nga gjykata, ndërsa i ashtuquajturi “Escobari” i Ballkanit kishte paraqitur sërish raport mjekësor.
Tashmë pretenca është shtyrë për më 8 prill. Por, ndryshe nga dy seancat e mëparshme të dështuara, këtë herë mungonte edhe avokati kryesisht, po ashtu duke u fshehur pas raportit mjekësor.
Top Channel