Në 20-vjetorin e ndërhyrjes ajrore të NATO-s ndaj objektivave serbe në Kosovë e Serbi, kryeministri Ramush Haradinaj nderoi ushtarët e KFOR-it të rënë gjatë shërbimit në Kosovë.
Ai bëri homazhe te pllaka memoriale e këtyre ushtarëve, si dhe te pllaka me emrat e ushtarëve britanikë të rënë gjatë detyrës.
Me këtë rast, Haradinajt tha se populli i Kosovës do t’i jetë përherë mirënjohës Amerikës dhe shteteve anëtare të NATO-s.
“Populli i Kosovës do t’i jetë përjetë mirënjohës NATO-s së prirë nga Amerika. Nuk ka mik më të mirë sesa ai që të gjendet në ditë të vështirë. Ne, ditë dhe kohë më të vështirë për jetën tonë nuk kemi pasur si në ato vite. Miku më i mirë për ne, i përjetshëm, është NATO dhe janë vendet e NATO-s”, tha Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.
Në shoqërim të Haradinajt, për homazhe ishte edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell; zv.kryeministri Enver Hoxhaj; ministri i FSK-së, Rrustem Mustafa; komandanti i FSK-së, Rrahman Rama; si dhe një pjesë e kabinetit qeveritar.
Për të shënuar përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe largimin e forcave serbe nga Kosova në vitin 1999 janë organizuar shumë aktivitete.
Top Channel