Presidenti i Komitetit Olimpik të Japonisë, Tsunekazu Takeda ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, por do të largohet në muajin qershor. Së fundmi, Takeda ishte vënë nën hetim nga autoritetet franceze për pagesa të kryera përpara se Tokio të fitonte të drejtën e organizimit të Lojërave Olimpike të vitit të ardhshëm.

Vet Takeda konfirmoi gjithçka nëpërmjet një konference për shtyp, duke theksuar se gjëja më e mirë është që drejtimin e këtij institucioni t’ia lerë brezit të ri, për të zhvilluar Lojërat Olimpike në një epokë të re.

Takeda shtoi se vendimi i tij nuk ka të bëjë aspak me hetimet që po kryhen ndaj tij, duke shtuar se ai jep dorëheqjen edhe si anëtar i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Në muajin janar u bë e ditur se Takeda do të përballej me një proces gjyqësor në Francë, për dy pagesa të kryera në vlerën totale prej 2.1 milionë dollarësh, e sipas prokurorëve kjo është një provë që vërteton korrupsionin, ndërkohë që Takeda mohon akuzat.

Hetimet nisën në vitin 2016 dhe në qendër të tyre janë vënë dy pagesa të bëra në drejtim të kompanisë “Black Tidings” me seli në Singapor, një kompani që është e lidhur me Papa Massata Diack, djalin e ish-presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Lamine Diack, edhe ky i përfshirë në një skandal korrupsioni.

Pagesat ishin bërë nën etiketimin “Tokyo 2020 Olympic Game Bid” nga një llogari bankare në Japoni, përpara dhe pas votimit të IOC-së në favor të Tokios, si vend organizator i Olimpikeve. Sipas dokumenteve të zbuluara nga AFP, Takeda u tha hetuesve franceze se “Black Tidings” u rekomandua nga kompania japoneze e spoteve publicitare, “Dentsu”, që është edhe sponsori kryesor i IAAF-së sa i përket marketingut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA