Kriza e emigracionit në Ceuta/ BE i vjen në ndihmë Spanjës, akordon 115 milionë euro për qeverinë e Sanchez

09/09/2026 21:19

Bashkimi Evropian sot i dha Spanjës ndihmë emergjente prej rreth 115 milionë eurosh për ta mbështetur atë në krizën e menaxhimit të enklavës së Ceutës, pas mbërritjes masive dhe të paligjshme të emigrantëve nga Maroku në fund të korrikut.

Kjo mbështetje do të shërbejë kryesisht për të forcuar mbikëqyrjen kufitare, për të blerë pajisje të tilla si kamera termike dhe për të vendosur staf shtesë, tha Komisioni Evropian.

Kjo ndihmë, me një total prej 114.7 milionë eurosh, synon gjithashtu të mbështesë kthimin e personave të pranishëm ilegalisht në Ceuta dhe të forcojë kapacitetet e pritjes në enklavën spanjolle për të miturit e pashoqëruar, sipas Brukselit.

Më shumë se 70,000 emigrantë hynë me forcë në Ceuta, një nga vetëm dy kufijtë tokësorë midis Evropës dhe Afrikës, më 30 dhe 31 korrik, një fluks që la dhjetëra të vdekur dhe të zhdukur.

Shumica e tyre ikën menjëherë pas kësaj, por mijëra të tjerë, 5,000 sipas qeverisë së kryeministrit Pedro Sanchez, ose të paktën 10,000 sipas autoriteteve lokale në Ceuta, ishin ende atje sot, shumë prej tyre duke fjetur në rrugë dhe në plazhe.

Juan Jesús Vivas, presidenti i enklavës spanjolle të Ceutës, i kishte kërkuar ndihmë Bashkimit Evropian të martën.

Zyrtari, një anëtar i Partisë Popullore të krahut të djathtë, akuzoi gjithashtu Marokun se qëndronte pas fluksit masiv “në fakt ose me mosveprim”.

Socialisti Pedro Sanchez, nga ana e tij, kishte deklaruar se asnjë agjenci nuk i kishte “ofruar qeverisë spanjolle prova të forta se Maroku planifikoi ose orkestroi” këtë fluks emigrantësh.

Megjithatë, dyshimet për rolin e Marokut u intensifikuan javën e kaluar pasi një raport i policisë i publikuar nxori në pah “tolerancën” e forcave të sigurisë së vendit gjatë krizës.

Drejtësia spanjolle hapi një hetim për krizën të hënën, bazuar kryesisht në këtë raport policor.

Top Channel