Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë fillon të lëvize pas shqetësimeve të prodhuesve për vetëkonsum të energjisë nga panelet fotovoltaike, sepse energjia e tepërt nuk i merret nga OSHEE.

Sipas ligjit, kushdo që licencohet për prodhimin e energjisë nga panelet diellore për vetëkonsum, ka të drejtë që energjinë e tepërt ta hedhë në rrjetin e shpërndarjes, e më pas kjo energji i rikthehet në monentin kur panelet e tij nuk prodhojnë sasinë e duhur.

Por, udhëzimi për shkëmbimin e kësaj energjie mes palëve nuk është nxjerrë deri më tani.

Në një tryezë të përbashkët, ekspertët e Ministrisë, OSHEE, OST-së dhe KESH-it thanë se ka një sërë faktorësh që sot janë frenues, e që kanë bërë që miratimi përfundimtar të vonojë.

Ministrja Belinda Balluku deklaroi se udhëzimi është në fazë diskutimi të gjerë, e se po synohet që ky aspekt të zgjidhet sa më shpejt, por në mënyrë optimale.

“Ka disa komponentë, të cilët sot e bëjnë kompleks të gjithë procesin”, tha Balluku.

Një diskutim tjetër do të bëhet me grupet e interesit. Prodhimi i energjisë nga panelet diellore po shihet si mundësi për diversifikimin e burimeve energjetike në Shqipëri.

Top Channel