Kosto në rritje për fermerët, shtrenjtohen punimet, plehrat dhe nafta, rrezikohet prodhimi bujqësor

25/04/2026 15:05

Rritja e çmimeve të inputeve bujqësore, si urea, nitrati dhe çmimi i naftës, po ndikon drejtpërdrejt në sektorin e bujqësisë në qarkun e Gjirokastrës.

Këto kosto të shtuara kanë vështirësuar ndjeshëm punën e fermerëve, duke i vendosur ata përballë sfidave të reja në prag të sezonit të mbjelljeve.

Fermeri Vangjel Kondi, të cilin e gjetëm në tokën e tij duke u përgatitur për të mbjellë misër, shprehet se edhe pse puna nuk ndalet, pasiguria për tregun e bën këtë vit më pesimist. Sipas tij, çmimet e inputeve janë rritur me rreth 25%, duke e bërë më të vështirë përballimin e kostove dhe sigurimin e fitimit.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe specialisti i bujqësisë, Balil Bineri, i cili thekson se kjo rritje çmimesh ka një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e prodhimit vendas. Sipas tij, shumë fermerë po detyrohen të reduktojnë sipërfaqet e mbjella ose të kufizojnë përdorimin e plehrave kimike, çka rrezikon të sjellë një prodhim më të ulët dhe më pak konkurrues në treg.

Në këto kushte, bujqësia në Gjirokastër përballet me një situatë delikate, ku kostot në rritje dhe pasiguria e tregut po vënë në pikëpyetje jo vetëm prodhimin e këtij viti, por edhe të ardhmen e këtij sektori jetik për ekonominë lokale.

Top Channel