Vlora është një ndër qytetet që po numëron viktimat e një beteje që duket se është sunduar nga krimi i organizuar. Top Story përmes përshkrimit dhe inskenimeve në terren, solli në vëmendje disa histori personazh të zhdukur nga droga. Ndër to është dhe i zhdukuri Albano Xhaferaj.
Mëngjesin e 17 qershorit, Albano Xhaferaj u largua nga shtëpia, pa u ndarë me fëmijët dhe gruan, Danielën. Doli për një kafe me mikun e tij Arbër Turja. Gruas i tha se do të kthehej shpejt në shtëpi, një apartament i vogël në rrugën trasballkanike në Vlorë, ku prej dy vitesh bonon familja e 34 vjeçarit.
Albano sapo ishte kthyer nga Belgjika. Në Anversë, një qytet ky belg i njohur për një prezencë të madhe të komunitetit shqiptar, kishte qëndruar tre muaj ndaj kish shumë për ti rrëfyer mikut të tij.
Teksa konsumonin kafen, Albano merr një telefonatë dhe i kërkohej një takim i menjëhershëm. Pak minuta më vonë, një makinë tip Audi, me targa AA560 TR ndalon në lokalin e rrugës Transballkanike.
Babai i dy fëmijëve hipën në të, e më pas askush nuk e sheh më me sy.
Daniela, duke menduar se bashkëshorti i saj ishte nën shoqërinë e miqve, nuk shqetësohet se Albano nuk u kthye në shtëpi.
Gruan e re e zë paniku të nesërmen, kur telefoni i dilte i fikur. Për 7 ditë me radhë ka trokitur në çdo derë të miqve të bashkëshortit të saj, por asnjëri prej tyre nuk e kishte parë.
Mëngjesin e 25 qershorit, ajo i është drejtuar komisariatit të Policisë së qarkut të Vlorës.
Oficerit të policisë gjyqësore, Fatmir Myrtajt, i ka rrëfyer gjithë sa dinte për zhdukjen pa lënë gjurmë të burrit. i ka treguar se kush e thërriti Albanon në telefon e kush ishte personi i fundit që e ka parë të gjallë.
Neglizhenca e treguar nga policia detyroi Lutfi Xhaferraj, babai i 34 vjeçarit, të denonconte publikisht zhdukjen e Albanos.
“Po tani atje se kush e mori dhe i tha hajde, dhe ai iku. Nuk mori as pasaportë, as dokument, as nuk i tha as gruas së tij, edhe mund të jetë rrëmbyer, edhe mund të jetë larguar prap, kështu e kanë këto punë”, – tha Lutfi Xhaferri, babai i Albano Xhaferrit.
Më 2 korrik Daniela i drejtohet prokurorisë së Rrethit të Vlorës për fatin e hetimeve.
E dërgojnë sërish në dyert e policisë, ku gruaja e re jep të njëjtën dëshmi, por tek një tjetër oficer të policisë gjyqësore, Gjergji Çepele.
Top Channel