Katër muaj pasi Kroacia ju prishin ëndrrën e “It’s Coming home”, duke i eliminuar nga gjysmëfinalet e botërorit “Rusi 2018”, Anglia “mori hak” në mitikun londinez “Wembley”, duke mposhtur ballkanasit me përmbysje 2-1 dhe duke i zbritur në Divizionin B të Ligës së Kombeve.
Fansat anglezë në stadium, por edhe ata nëpërmjet ekranit patën mundësinë të shijojnë një sfidë spektakolare, veçanërisht në 45-minutëshin e dytë të saj, kur edhe u shënuan të tre golat e sfidës.
Gjithçka nisi në minutën e 58’, kur Kramariç “vallëzoi” mes mbrojtjes së “3 luanëve” dhe me një gjuajtje të bukur, arriti të dërgojë topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga Pickford, duke kaluar Kroacinë në avantazh.
Gjithsesi të besuarit e Gareth Southgate nuk mund të pajtoheshin gjithsesi, që Kroacia t’u ndërpriste një tjetër synim dhe u hodhën në sulm, në kërkim të fitores së madhe, që do t’u jepte automatikisht edhe vendin e parë në grup.
Ishte kapiteni Harry kane ai që mori për dore britanikët, pasi në minutën e 78 asistoi për Jese Lingard, me yllin e United që riktheu baraspeshën, ndërsa në të 84-ën, ishte vetë sulmuesi kryesor i “3 luanëve”, që shënoi edhe golin e dytë për Anglinë.
Me këtë sukses Anglia mbyll fazën e grupeve në vendin e parë dhe tashmë do të luajë me 3 skuadra të tjera, për të diskutuar kampionen e Ligës së Kombeve, ndërsa Spanja mbetet në vendin e dytë dhe Kroacia e fundit, zbret në Ligën B, për edicionin e ardhshëm.
Top Channel