Ish-kryeministri italian, Silvio Berlusconi do të dalë sërish përpara gjyqit, këtë herë i akuzuar se ka paguar një dëshmitare të japë dëshmi të rreme mbi festat e tij të famshme hedoniste.

Një gjykatës në qytetin jugor të Barit përcaktoi këtë të premte, që seanca e parë dëgjimore për detyrimin e një dëshmitari që të rrëfejë atë që nuk duhej, të mbahet më 4 shkurt të vitit 2019.

Çështja në fjalë daton hershëm në vitet 2008-2009, kur biznesmeni i ri dhe ambicioz, Giampaolo Tarantini dërgoi disa vajza eskortë në festat e organizuara nga Berlusconi në rezidencat e tij në Romë dhe Sardenjë.

Tarantini tashmë është duke apeluar një dënim me 8 vite burg, për menaxhimin e prostitutave në favor të Berlusconit. Ish-kryeministri miliarder akuzohet se ka paguar Tarantinin që të heshtë, e të mos tregojë më shumë detaje famëkeqe nga festat e tij.

Hetuesit thonë se Berlusconi i ka ofruar Tarantinit “qindra mijëra euro, ndihmë ligjore dhe një vend pune”, në mënyrë që ai të mund të gënjente në gjykatë. Bersluconi po hetohet apo ndiqet penalisht gjithashtu për pengim të dëshmitarëve edhe në Milano, Siena, Romë dhe Torino, e në secilin rast me pretendimet se ka paguar njerëz për të heshtur mbi të ashtuquajturat “party bunga-bunga”.

Manjati i medies nuk ka mohuar kurrë të ketë dhënë pagesa, por ka thënë se ato synonin “të ndihmonin dikë apo një familje me fëmijë, të cilët ishin në vështirësi serioze financiare”.

“Jemi të bindur se, pasi të nisë gjyqi, Berlusconi do të shpallet i pafajshëm shumë shpejt”, tha avokati mbrojtës i Berlusconit, Nicolo Ghedini, për gazetën “Repubblica”.

Berlusconi u largua nga pushteti në nëntor të vitit 2011, pas një revolte parlamentare kundër regjimit të tij të pllakosur nga skandalet, e sigurisht mes një vale paniku të tregjeve financiare që çuan Italinë në prag kolapsi apo falimenti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA