Këndoi për ditëlindjen e Papës në Vatikan, Sopranoja Rajmonda Tullumani: Mendova të sillja diçka nga Shqipëria, ndaj zgjodha një jare shkodrane

04/10/2026 18:38

E ftuar në studion ‘ E Diell’, live në ekranin e Top Chanel, këngëtarja soprano, Rajmonda Tullumani rrëfeu më shumë për jetën e saj artistike ku shprehu emocionet për një ndër shfaqjet më të rëndësishme ku bëri pjesë edhe pak nga kultura dhe muzika shqiptare.

Ndër shumë shfaqje të saj ajo theksoi se u ftua të performonte në Vatikan pjesën nga Verdi, ‘Ave Maria’, në ditën e ditëlindjes së Papës ku kërkoi që për herë të parë pjesë e shfaqjes të ishte edhe një Jare shkodrane dhe xhubleta.

“Isha shumë e emocionuar dhe të gjithë shqiptarët e pranishëm u ndjenë po aq të emocionuar”, shprehet ajo ndër të tjera në rrëfimin e saj

“Dy nga momentet më të rëndësishme kanë qenë Carnegie Hall dhe ditëlindja e Papës në Vatikan, në vitin 2014. Më kërkuan të këndoja ‘Ave Maria’ të Verdit, nga opera ‘Otello’. Pranova dhe mendova: ‘Çfarë mund të sillja nga Shqipëria?’ Kështu, u kërkova me shumë kujdes që të këndoja një jare shkodrane në Vatikan.
Kërkova një xhubletë që ta vishja dhe të këndoja ‘Otellon’ dhe më pas jaret shkodrane. Isha shumë e emocionuar dhe të gjithë shqiptarët e pranishëm u ndjenë po aq të emocionuar.
Kjo është ‘Suor Angelica’, e realizuar në Tiranë.

Për mua ishte premierë dhe më është dashur një punë e jashtëzakonshme për ta realizuar këtë rol. Unë kisha vajzën shumë të vogël, vetëm 8-9 muajshe, dhe historia tregon se personazhit i vdes djali i vogël. Ia marrin dhe ajo merr vesh më vonë se ai ka ndërruar jetë. Ta realizoja këtë rol si nënë ishte shumë e vështirë, por gjithë ai emocion u shpalos te publiku dhe për këtë jam shumë e lumtur.

Kam një djalë, Boris, 13 vjeç, dhe një vajzë, Nikol, 5 vjeçe. Djali më ndjek në shfaqje dhe më ndihmon me gjithçka. Çudit gjithë teatrin, sepse thonë: ‘Si ka mundësi që një adoleshent të ketë këtë lloj qasjeje ndaj muzikës klasike dhe të rrijë me orë të tëra në opera?”

Atij nuk i pëlqen ta realizojë vetë, por i pëlqen shumë fakti që mami i tij është kaq e rëndësishme dhe qëndron shumë i emocionuar deri në fund të shfaqjes.
Në operën ‘Fundi i Golemëve’, regjisori më tha: ‘Ramona, ti ke rolin e një nëne, e cila duhet të dalë në skenë me fëmijën e saj, një djalë. Ti ke një vajzë, po sikur ta bëjmë çun?’
I thashë ‘po’ në momentin e parë, pastaj mendova: ‘Prit pak, se ajo është e rritur dhe mund të mos pranojë.’ Por ajo pranoi dhe qëndroi 20 minuta pa lëvizur”, theksoi sopranoja Tullumani.

Top Channel