Një aksident tragjik në SHBA i ka marrë jetën një kuzhinieri 51-vjeçar, i cili në momentin e përplasjes ndodhej duke fjetur në makinën e tij të parkuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 07:00 të mëngjesit të së shtunës, pranë Carbon Canyon Road, në zonën e Los Anxhelosit.
Pamjet e aksidentit tregojnë një SUV që lëviz me shpejtësi në rrugë, ndërsa pak çaste më vonë drejtuesi humbet kontrollin dhe automjeti devijon drejt anës së rrugës. SUV-i përplaset me makinën ku ndodhej 51-vjeçari, Ryo Uchimiya.
Goditja ishte e fortë dhe bëri që makina e viktimës të shtyhej drejt një tjetër automjeti. Ky i fundit u përplas më pas edhe me një makinë të tretë.
Uchimiya u gjet pa shenja jete në sediljen e pasme të automjetit të tij. Sipas raportimeve, ai kishte mbërritur herët në zonë për të punuar në një aktivitet catering dhe ishte shtrirë për të fjetur në makinë, në pritje të fillimit të punës.
51-vjeçari ishte një kuzhinier me eksperiencë dhe kishte punuar për disa vite në restorantin e njohur Nobu Malibu. Kolegët e tij kanë treguar se ai kishte qenë në punë edhe një natë përpara aksidentit tragjik.
Automjeti tip SUV drejtohej nga një 16-vjeçar, i cili po udhëtonte në drejtim të lindjes në Pacific Coast Highway. Sipas të dhënave paraprake, automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur mbi shpejtësinë e lejuar. Shpejtësia është vlerësuar në rreth 50 milje në orë, ose rreth 80 kilometra në orë.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Ndër të tjera, po shqyrtohet edhe mundësia që SUV-i të ketë kaluar vijën e bardhë në anë të rrugës përpara se të përplasej me makinën e parkuar të viktimës.
Top Channel