Michael Douglas ka zbuluar lidhjen e fshehtë me aktoren e famshme pas 40 vitesh?

03/10/2026 22:52

Aktori i famshëm, Michael Douglas, ka zbuluar se ai dhe aktorja Kathleen Turner kanë pasur një lidhje romantike gjatë xhirimeve të filmit “Romancing the Stone” në vitin 1984, duke e mbajtur sekret për rreth katër dekada.

Në kujtimet e tij të reja, “One Helluva Ride”, 82-vjeçari tregon se ai dhe Turner u afruan gjatë xhirimeve në Meksikë dhe marrëdhënia e tyre kaloi nga miqësia në një lidhje dashurie.

Në atë kohë, aktori ishte i ndarë nga bashkëshortja e tij e parë, Diandra Luker, por ata ishin ende të martuar ligjërisht. Douglas shkruan se lidhja me Turner u zhvillua gradualisht, ndërsa të dy kalonin shumë kohë së bashku gjatë produksionit.

Çifti e mbajti marrëdhënien larg syve të kolegëve dhe Douglas thotë se as regjisori Robert Zemeckis dhe as aktori Danny DeVito nuk ishin në dijeni të saj. Për vite me radhë, Douglas dhe Turner mohuan publikisht se mes tyre kishte ndodhur diçka.

Sipas 82-vjeçarit, lidhja përfundoi pasi Diandra vizitoi setin së bashku me djalin e tyre, Cameron. Ajo i bëri të qartë Turner se ishte ende e martuar me Douglas, ndërsa aktorja vendosi të tërhiqej dhe të mos ndërhynte në martesën e tyre.

Douglas u rikthye më pas te Diandra, megjithëse në kujtime pranon se marrëdhënia e tyre nuk ishte më e njëjtë. Çifti u divorcua në vitin 2000, ndërsa po atë vit aktori u martua me Catherine Zeta-Jones.

Turner ka folur edhe më parë për tërheqjen që kishte ndaj Douglas, por nuk kishte konfirmuar publikisht se kishin qenë në një lidhje. Pas publikimit të rrëfimit të tij, ajo reagoi me humor, duke thënë se ishte e habitur nga vëmendja që po merrte një histori e ndodhur 40 vjet më parë.

Pavarësisht historisë së tyre, Douglas dhe Turner vazhduan të punonin së bashku në projekte të tjera, përfshirë “The Jewel of the Nile” dhe “The War of the Roses”, ndërsa më vonë u ribashkuan edhe në serialin “The Kominsky Method”.

Top Channel