“Ne jemi të gatshëm”, Zelensky: SHBA kërkon bisedime trepalëshe me Ukrainën dhe Rusinë deri në fund të tetorit
Ukraina ka nisur të përdorë në fushëbetejë një pajisje të re kundër dronëve rusë me fibra optike, që funksionon duke u prerë kabllot, përmes të cilave operatorët kontrollojnë dronët.
Teknologjia vjen në kohën kur ushtritë në mbarë botën po kërkojnë mënyra për t’u mbrojtur nga këta dronë. Pajisja ukrainase, e prezantuar në shtator, është krijuar për t’i këputur fizikisht kabllot me fibra optike, që përdoren për kontrollimin e shumë dronëve.
Ndryshe nga dronët që kontrollohen përmes radio-sinjaleve, dronët me fibra optike nuk mund të ndalen duke ua bllokuar sinjalin elektronik. Ata janë përdorur edhe në konfliktin në Mianmar, si dhe në sulme vdekjeprurëse kundër forcave izraelite. Përdorimi i tyre ka nxitur edhe Izraelin që t’i intensifikojë përpjekjet për të gjetur mënyra efektive për t’u mbrojtur prej tyre.
Drejtori i kompanisë ukrainase që ka zhvilluar pajisjen i tha Radios Evropa e Lirë se “dhjetëra” sisteme të tilla u janë dërguar, ditëve të fundit, njësive ukrainase në vijën e frontit.
Pajisja ngjan me një gardh për bagëti dhe është rreth 80 centimetra i lartë. Kur sensori i tij akustik dikton një dron në afërsi, sistemi aktivizohet: motorët elektrikë vënë në lëvizje tela të pajisur me grepa të mprehtë, të ngjashëm me tela me gjemba, në një zonë të posaçme për kapjen dhe prerjen e kabllove.
Kur kablloja me fibra optike kapet dhe pritet, lidhja fizike mes dronit dhe operatorit që e kontrollon ndërpritet. Kompania e prodhimit pretendon se sistemi arrin t’i këpusë kabllot në 95 për qind të rasteve.
Top Channel