Polemikat ndaj arbitrit në stadiumin “San Siro” dhe kartoni i kuq që e nxori nga fusha mes lotëve, në një ndeshje ku ishin sytë e miliona telespektatorëve, ka sjellë pashmangshmërisht edhe dënimin e Gjykatësit sportiv, për Gonzalo Higuain.

Sulmuesi argjentinas i Milanit, i përjashtuar në minutat e fundit të sfidës mes kuqezinjve dhe Juventusit, do të mungojë dy ndeshje, respektivisht ndaj Lazios dhe Parmës, ndërsa klubi milanez ka premtuar se do të apelojë vendimin.

Në arsyetimin e bërë nga Disiplina, nënvizohet se Higuain ka patur një sjellje të rëndë ndaj arbitrit. Kështu për bomberin latin nuk erdhi ulja e shumëpritur që Milan pretendonte, për të patur në fushë Gonzalo Higuain. Ky i fundit do të mungojë në betejën direkte për një vend në Champions kundër Lazios, si dhe për atë ndaj Parmës.

Toni kërcënues ndaj arbitrit dhe protestat e vazhdueshme në fushën e “San Siros”, e rënduan pozicionin e sulmuesit argjentinas. Bie në sy mes të gjithave, se periudha juventine është ajo më e pastra për Gonzalo Higuain nga pikëpamja e disiplinës. Me skuadrën kampione, ai mori vetëm 8 kartonë të verdhë në 105 ndeshje, dhe asnjë karton të kuq, as për ndëshkim të dyfishtë dhe as direkt.

Gjykatësi sportiv vendosi të dënojë me nga një ndeshje edhe Brozoviç të Interit, Linetti të Sampdorias, dhe Rinkon të Torinos. Nuk i shpëtoi dënimit për protesta dhe ofendime, edhe trajneri i sapoemëruar i Empolit, Giuseppe Iakini.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA