Miliarderët kanë bërë më shumë parà në vitin 2017 sesa çdo vit tjetër në histori.

Të pasurit e botës rritën pasurinë e tyre me një të pestën (20%), në 8.9 trilionë dollarë, sipas një raporti të bankës zvicerane “UBS”.

Parusitë e super të pasurve të sotëm janë rritur me një ritëm më të shpejtë, krahasuar me shekullin e XX, kur familje si “Rothschilds”, “Rockefellers” dhe “Vanderbilts” kontrollonin pasuri pa fund.

Raporti i “UBS”-së thotë se, ka aq shumë parà në duart e super të pasurve, saqë një valë e re familjesh të pasura dhe të fuqishme është krijuar.

“30 vitet e shkuara kanë parë krijimin e një pasurie të stërmadhe”, thuhet në raportin e “UBS”-së.

Me pasurinë që do të kalojë nga sipërmarrësit te trashëgimtarët e tyre, në vitet në vijim, familjet shumëgjeneratëshe të shekullit të XXI-të po krijohen.

Plot 2.158 miliarderët e botës rritën pasurinë e tyre me 1.4 trilionë dollarë vitin e shkuar, shumë kjo më e madhe sesa GDP-ja e Spanjës apo Australisë, ndërsa bursat në ngritje ndihmuan pothuajse çdo të pasur të arrijë rritjen absolute më të madhe në histori.

Më shumë se 40 nga 179 miliarderët e rinj, të krijuar vitin e shkuar, e trashëguan pasurinë e tyre dhe, falë numrit të miliarderëve mbi 70 vjeç, autorët e raportit presin që 3.4 trilionë dollarë të tjerë të dorëzohen te trashëgimtarët gjatë 20 viteve të ardhshme.

David Rockefeller, stërnipi i fundit i themeluesit të “Standard Oil”, John D Rockefeller, që u bë miliarderi i parë i botës në vitin 1916, vdiq në moshën 101-vjeçare vitin e kaluar, me një pasuri 3.3 miliardë dollarëshe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA