Ndërron jetën në moshën 27-vjeçare djali i Cindy Crawford, ishte i shtruar në një qendër…

21/09/2026 09:45

Ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçari djali i vetëm i supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, Presley Gerber.

Ndarja nga jeta e tij është është bërë i ditur nga Zyra e Mjekësisë Ligjore në Los Angeles, sipas së cilës Gerber ndërroi jetë të dielën, më 20 shtator, në një qendër rehabilitimi. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende publik, ndërsa autopsia vijon.

Ndërkohë familja Gerber ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë. Cindy Crawford, Rande Gerber dhe motra e Presley-t, modelja dhe aktorja Kaia Gerber, janë shprehur se kanë nevojë për hapësirë për të përballuar humbjen.

Presley lindi në Beverly Hills në vitin 1999 dhe ndoqi gjurmët e nënës së tij. Ai u fut në botën e modelingut që në adoleshencë. Në moshën 15-vjeçare ai nënshkroi me agjencinë IMG Models, ndërsa disa vite më vonë nisi të tërhiqte vëmendjen e industrisë së modës edhe së bashku me motrën e tij, Kaia.

27-vjeçari u shfaq në pasarela të markave të njohura ndërkombëtare, përfshirë Moschino dhe Dolce & Gabbana, ndërsa ishte pjesë edhe e një fushate të Calvin Klein.

Përveç karrierës në modeling, Presley ishte bërë i njohur edhe për rrëfimet e tij publike mbi vështirësitë personale. Gjatë viteve të fundit, ai kishte folur hapur për shëndetin mendor, depresionin, sulmet e panikut dhe problemet me varësinë nga substancat.

Ndërkohë në rrjetet sociale, ai kishte krijuar edhe një rubrikë të quajtur “Të hënat e shëndetit mendor”, ku ndante përvojat e tij dhe fliste për rikuperimin, zakonet e shëndetshme dhe rëndësinë e kërkimit të ndihmës.

“Duke qenë se kam kaluar vështirësi me shëndetin mendor, depresionin dhe disa gjëra të tjera, mendoj se nëse mund të ndihmoj qoftë edhe një person, apo njëqind persona, të dalin nga ajo gjendje ku kam qenë dikur, kjo është gjithçka që më duhet”, ishte shprehur ai në një intervistë.

Presley vazhdonte të ishte pranë familjes dhe shfaqej herë pas here në evente publike së bashku me prindërit dhe motrën. Vdekja e tij ka tronditur familjen e njohur amerikane, ndërsa rrethanat dhe shkaku i saktë i ndarjes së tij nga jeta pritet të bëhen të ditura pas përfundimit të autopsisë.

Top Channel