Hoqi dorë nga bota e kinemasë në moshën 51-vjeçare për milionat e portaleve për të rritur, aktorja e njohur zbulon: Jam e lirë

21/09/2026 17:40

Aktorja e njohur amerikane Drea de Matteo ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga platforma OnlyFans, ku u bë pjesë në moshën 51-vjeçare dhe që prej atëherë ka krijuar një burim të rëndësishëm të ardhurash.

Ylli i serialit të famshëm “The Sopranos”, tashmë 54 vjeçe, tha se platforma i ka ofruar më shumë pavarësi financiare dhe kontroll mbi karrierën e saj.

Në një intervistë për “The Sun“, De Matteo tregoi se vendimi për t’u bashkuar me OnlyFans erdhi në një periudhë të vështirë financiare, kur rrezikonte të humbiste shtëpinë.

Ajo deklaroi se arriti të siguronte rreth 75 mijë dollarë në vetëm 75 minuta pas hapjes së llogarisë në platformë.

“Është vërtet shumë fitimprurëse dhe tani punoj vetëm kur dua unë. Për sa i përket aktrimit, ka qenë e vështirë të jem në atë botë, sepse në shumë mënyra nuk je vërtet i lirë. OnlyFans të jep një lloj lirie, ndaj mendoj se do të vazhdoj aty”, u shpreh aktorja.

Drea de Matteo u bë e famshme në mbarë botën me rolin e Adriana La Cerva në serialin “The Sopranos”, ku luajti nga viti 1999 deri në vitin 2004.

Ajo më pas mori pjesë edhe në projekte të tjera të njohura televizive, përfshirë “Desperate Housewives” dhe serialin “Joey”, spin-off i “Friends”, ku luajti përkrah Matt LeBlanc.

Megjithatë, aktorja ka thënë se fama nga këto role nuk i ka sjellë gjithmonë përfitimet financiare që shumë njerëz mund të mendojnë.

Duke folur për “The Sopranos”, ajo tha se në atë periudhë nuk kishte marrëveshje të zhvilluara për pagesa të vazhdueshme nga transmetimet e mëvonshme të serialeve.

“Njerëzit mendojnë se jam e mbushur me ar, por nuk është kështu”, është shprehur ajo.

De Matteo ka folur gjithashtu për mënyrën se si e sheh pjesëmarrjen e saj në OnlyFans, duke thënë se dëshiron të përfaqësojë gratë e një moshe më të madhe që zgjedhin këtë platformë.

“Jam e lumtur të përfaqësoj gratë më të rritura në botë dhe ato që janë bashkuar me OnlyFans”, tha ajo.

Së fundmi, aktorja bëri edhe debutimin e saj në pasarelë, duke marrë pjesë në një shfaqje mode të lidhur me OnlyFans dhe stilisten Natasha Zinko.

Ajo tha se ndoshta nuk i përket më kategorisë tipike të modeleve të pasarelave, por se është e lumtur të sjellë një tjetër imazh për gratë mbi 50 vjeç.

Drea de Matteo vijon të jetë një nga figurat më të njohura të televizionit amerikan, ndërsa karriera e saj tashmë përfshin edhe një rol të ri si krijuese përmbajtjeje në internet.

Top Channel