Pas referendumit të së dielës, Maqedonia është zhytur sërish në pasiguri politike. Partia më e madhe e opozitës VMRO-DPMNE ia fashiti shpresat koalicionit në pushtet për sigurimin e votave që do të garantonin aprovimin e ndryshimeve Kushtetuese, të nevojshme për miratimin e marrëveshjes së emrit.
VMRO-ja jo vetëm nuk e njeh rezultatin e votimit, por kërkoi dhe dorëheqjen e menjëhershme te kryeministrit Zoran Zaev e krijimin e një qeverie teknike me afat 100 ditor, emërimin e prokurorit të ri publik dhe formimin e komisionit anketues që do të hetonte parregullsitë e referendumit si kusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Për Zaevin, të tilla kërkesa janë të papranueshme. Ai e sheh rrugëdaljen tek zgjedhjet e reja, por BDI-së, partnere e LSDM-së në qeveri, është kundër zgjedhjeve të parakohshme.
Në mbledhjen e së enjtes, kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim doli në përfundimin se me prioritet për vendin është implementimi i Marrëveshjes së Prespës.
Nuk është koha për zgjedhje të tjera, ishte mesazhi i dalë nga kjo mbledhje, sepse kështu rrënohet dinamika e implementimit të Marrëveshjes së Emrit, çka rrezikon të sjelle për rrjedhoje një bllokim serioz të proceseve integruese të vendit në NATO dhe Bashkimin Europian.
Arsyetimi i BDI-së është se në referendum dolën 650.000 qytetare, nga të cilët 90% apo 610.000 u shprehën në favor të marrëveshjes, e kjo dëshmon qartë në këndvështrimin e kësaj force politike, vullnetin e popullit për ta pranuar paktin dhe anëtarësimin në strukturat euroatlantike.
Top Channel