“New York Times” shkruan se presidenti Donald Trump ka përdorur metoda të dyshimta për t’iu shmangur taksave, madje duke bërë edhe mashtrime tatimore, për të rritur pasurinë e tij, që filloi me parà të dhuruara nga prindërit.
Trumpit i pëlqen ta përshkruajë veten si njeri që e ka krijuar vet suksesin financiar, duke thënë se e filloi gjithçka me një kredi relativisht modeste prej një milion dollarësh nga i ati, e pastaj e ngriti pasurinë me anë të investimeve dhe marrëveshjeve fitimprurëse.
Por, në shkrimin mjaft të detajuar të gazetës “New York Times” thuhet se, Trump përfitoi rreth 413 milionë dollarë nga babai i tij, Fred Trump, manjat i pasurive të patundshme në Nju Jork.
“Fred Trump filloi t’u kalonte parà Trumpit dhe fëmijëve të tjerë që kur ata ishin të vegjël, – shkruan gazeta, – madje ata edhe sot vazhdojnë të marrin të ardhura nga pasuritë e paluajtshme të të atit”.
Gazeta shkruan më tej se Trump e ndihmoi të atin të shtonte pasurinë duke iu shmangur tatimeve, apo duke bërë zbritje taksash që gazeta i quan të parregullta. Sipas gazetës, Trump krijoi një skemë për të ulur vlerën në letër të pronave të patundshme që zotëronte, në mënyrë që të bënte zbritje të ndjeshme në faturën tatimore.
Gazeta “New York Times” njofton gjithashtu se, Trump dhe vëllezërit e motrat e tij krijuan një korporatë të rreme për të fshehur dhuratat e mëdha në parà që u bënte i ati. Sipas gazetës, të dhënat tatimore tregojnë se familja Trump pagoi vetëm një pjesë të taksave, që duhej t’i paguanin qeverisë federale sipas Kodit Tatimor.
Shtëpia e Bardhë lëshoi të martën vonë një deklaratë lidhur me akuzat, ku nënvizonte se Fred Trump ka 20 vite që nuk është më dhe është për të ardhur keq që shohim këtë sulm ndaj familjes Trump nga gazeta e dështuar “New York Times”.
Gazeta thotë se e bazon shkrimin e saj në intervista me ish-punonjësit e Fred Trump dhe në më shumë se 100 mijë faqe dokumentesh, përfshirë taksat personale të Trumpit.
Top Channel