Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në konferencën “Serbët dhe shqiptarët”, të mbajtur paraditen e së mërkurës në Tiranë, sulmoi politikën serbe duke thënë se në lidhje me Kosovën ka një “retorikë të shekullit XIX që nuk i bën nder diskutimeve të sotshme që janë të përqendruara në procesin e pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve”.
“Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka thënë se Kosova është zemra e Serbisë dhe kosovarët janë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Kjo është retorikë e shekullit XIX dhe nuk i bën nder diskutimeve të sotshme që janë të përqendruara në procesin e pajtimit dhe normalizimit. Marrëdhënia shqiptaro-serbe ka një elefant në dhomë që është Kosova, që ka përfaqësuesit e saj që flasin në interesin e saj, por edhe qëndrimi jonë është i qartë: procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi nuk zëvendësohet nga një raport i mirë Shqipëri-Serbi, por përplotësohet”, tha Bushati.
Në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Bushati tha: “Dialogu duhet të jetë mbi baza të sinqerta. Kemi shumë pika të përbashkëta me Serbinë dhe ka një tendencë për të tejkaluar stereotipet. Marrëdhëniet me Serbinë janë në progres e sipër. Vendet tona duhet të kalojnë plagët e së kaluarës dhe ka shenja për këtë”.
Top Channel