“Isa Boletini”, jo më me dy turne. Shkolla në Kodër-Kamëz do të ketë 17 klasa të reja

16/09/2018 13:55

Nxënësit që ndjekin mësimin në shkollën “Isa Boletini” në Kodër Kamëz nuk do ta zhvillojnë mësimin me dy turne këtë vit shkollor. Shkollës ekzistuese i janë shtuar 17 klasa rë reja, çfarë i jep zgjidhje shqetësimit të nxënësve dhe prindërve të tyre.

“Ashtu si ‘Isa Boletini’ erdhi në minutën e fundit, teksa shpallej Pavarësia, edhe ne, në minutën e fundit jemi gati për të shpallur pavarësinë nga shkollat me dy turne, në Kodër-Kamëz. Sot, me 17 klasat e reja, shkolla kalon me një turn, shpëtojmë nga klasat me dy turne, nga fëmijët që duhet të dalin vonë pasdite dhe të prishin të gjithë ciklin biologjik, por edhe arsimor, duke iu përshtatur turneve të shkollës. Teksa hyjmë në këtë vit të ri shkollor, më vjen mirë që Kodër-Kamzës i është shtuar kjo stoli”, tha Veliaj.

Veliaj siguroi se investimet nuk janë prioritet vetëm në qendër, por edhe në periferi të Tiranës.

“E filluam nga çerdhja, tani vijojmë me shkollën. Do të zgjidhim një ngërç që kemi me kopshtin dhe vitin tjetër do të përgatitemi për një megainvestim në të gjithë zonën e Kodër-Kamzës. Është një bllok disa hektarë, me shumë rrugë dhe sheshe, sepse besoj që vetëm kur e mbyllim mandatin edhe me Kodër-Kamzën, të trajtuar njësoj si të gjitha njësitë e tjera, mund të quhet një Tiranë që ka ecur me të njëjtën shpejtësi dhe jo me dy shpejtësi, më ngadalë në periferi dhe më shpejt në qendër”, deklaroi më tej Veliaj.

Veliaj u kërkoi nxënësve të kësaj shkolle të ruajnë ambientet e reja, pasi është nga investimet më të mira që po bëhen nëpër shkolla, si për sa i përket cilësisë së materialeve, ashtu dhe teknologjisë që po përdoret.

FOTO GALERI
6/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA