Blegtorët, nuk presim më gjatë, shtatë kërkesa pa zgjidhje, shoqata i drejtohet Ramës dhe paralajmëron protestë

30/09/2026 15:19

Këto pamje që shihni në ekran i përkasin protestës së blegtorëve që u zhvillua para Ministrisë së Bujqësisë më 7 prill. Me 7 kërkesat në duar, një përfaqësi fermerësh u pritën nga ministri Andis Salla dhe ministri Petrit Malja, duke thënë se brenda 6 muajve kërkesat e tyre do të trajtohen me prioritet.

Një ditë më parë, blegtorët i rikujtuan sërish ministrit Salla dhe Malaj 7 kërkesat, por kësaj here me një ndryshim: në dijeni është vënë edhe kryeministri Edi Rama.

“Kemi pritur shtatorin sipas dakordësimit të bërë në takimin e datës 07.04.2026, por kjo pritje nuk mund të shtyhet më tej. Më poshtë po ju radhisim kërkesat tona që kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme për mbijetesën e prodhimit të qumështit në Shqipëri”.

Muajt kaluan dhe premtimet e dhëna nuk u mbajtën nga Ministria e Bujqësisë, që harton politika mbështetëse për njerëzit që rrisin gjënë e gjallë, dhe as nga Ministria e Financave, që ka në dorë buxhetin e sektorit.

“Aktualisht nuk kemi një ftesë, siç ishte dakordësuar, për t’u bërë bashkë me Ministrin e Financave dhe Ministrin e Bujqësisë. Ne u kemi drejtuar zyrtarisht këtyre dy ministrive, si edhe Kryeministrit, me kërkesën për zhvillimin e një tryeze diskutimi për 7 pikat që kemi parashtruar. Sektori është në nevojë ekstreme dhe vazhdimi apo shtyrja e këtyre takimeve nuk sjell asnjë rezultat të mirë”, tha përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Blegtorëve, Indrit Reka.

Fermerët nuk duan vetëm para. Ata kërkojnë zbatimin e rregullave që garantojnë siguri ushqimore.

“Ne kemi kërkuar krijimin e një laboratori të pavarur, etiketimin e produkteve, por edhe uljen e kostos së naftës. Po flasim për një treg konkurrues, ndërkohë që çmimet nuk janë konkurruese me asnjë vend të Evropës”, tha përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Blegtorëve, Indrit Reka.

Për blegtorët, vonesa është e pajustifikueshme.

“Nga 7 pikat që kemi kërkuar, asnjëra nuk është plotësuar. Ndërkohë, pjesa më vulnerabël e të gjithë zinxhirit të prodhimit është blegtoria”, tha përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Blegtorëve, Indrit Reka.

E nëse pritja zgjat, fermerët thonë që do të humbasin durimin.

“Rruga që mbetet është protesta”, tha përfaqësuesi ligjor i Shoqatës së Blegtorëve, Indrit Reka.

Top Channel