Rëndësia e përkthimit dhe interpretimit në një botë ku gjuhët dhe kulturat takohen çdo ditë u vu në pah sot nga përkthyesit që morën pjesë në një panel diskutimi organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në Ditën Ndërkombëtare të Përkthimit.
“Përkthimi është një urë komunikimi dhe veçanërisht letërsia e përkthyer është urë komunikimi kulturash”, shprehet Diana Çuli.
“Mbi të gjitha, përkthyesi duhet të jetë i informuar mbi atë që përkthen, të njohë autorin, të njohë kontekstin historik për të cilin flet vepra. Të dijë jo vetëm gjuhën e huaj, por edhe gjuhën shqipe”, shtoi Aida Baro, përkthyese.
Të pranishmit vunë theksin te njohja e mirë e gjuhës shqipe dhe informimi i vazhdueshëm për një përkthim cilësuar, ndërsa zhvillimin e Inteligjencës Artificiale nuk e shohin si kërcënim, por paralajmërojnë që të përdoret me kujdes.
“Në Shqipëri, nuk mendoj se Inteligjenca Artificiale ka arritur ato nivele sa përkthyesi të ndihet i kërcënuar. AI mund të jetë e mirë për përkthime dokumentash, po letërsia është tjetër gjë”, deklaron Aida Baro, përkthyese.
“Nëse je përkthyer i përgjegjshëm, atëherë teknologjinë mund të përdorësh për ndonjë ndihmë të vogël që të shpejton kohë. Por duhen verifikuar sepse AI bën edhe gabime”, shton Diana Çuli.
Ndërsa në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, u prezantua vepra e Diana Kastratit, “Arti i Papërsosurisë: Studime, reflektime e qasje mbi trininë autor, proces përkthimi e përkthyes letrar”.
“Blloku i parë është studimor për shekullin XX dhe XXI mbi metodologjinë e përkthimit. E kam quajtur arti i papërsosmërisë, sepse është diçka që shkon te njeriu dhe është e njeriut. Blloku i dytë ka përvojat personale të një pjese të librave që kam përkthyer”, tha Diana Kastrati, përkthyese.
Përkthyesit duhet të tejkalojnë sfidat e kohës për të siguruar një përkthim cilësore të veprave, duke përcjellë saktë kuptimin, tonin, dhe kulturën.
Top Channel