Futbolli është vënë prej kohësh në lupën e organeve fiskale spanjolle. Vetëm këtë vit, Agjencia e të Ardhurave në Spanjë do të arkëtojë 1.2 miliardë euro nga 42 ekipe të La Ligës dhe Segunda Divisionit e futbollistët e tyre.

Sipas përllogaritjeve, futbolli përbën 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në Spanjë.

Në sezonin 2016-2017, futbolli në Spanjë pagoi në formën e taksave e tatimeve 1.1 miliardë euro, ndërsa në 2015-2016 kjo shifër ishte 1.023 miliardë euro. Shifra që futbolli profesional do të derdhë në llogari të organeve tatimore në vendin iberik pritet të rritet në sezonet e ardhshme, e për sezonin 2019-2020 pritet të arrijë në rreth 1.5 miliardë euro.

Nga 1.2 miliardët që do të përfitojë Agjencia e Të Ardhurave në Spanjë, 847.2 milionë i siguron nga tatimi mbi të ardhurat personale të futbollistëve, që aktivizohen në La Liga e Segunda Division. Në këtë shifër përfshihen edhe tatimi mbi të ardhurat personale të trajnerëve dhe pjesës tjetër të stafit të tyre.

Pjesa tjetër prej 380.3 milionë euro janë pjesë që u takon klubeve ta paguajnë në formën e taksës, nga të ardhurat nga e drejta e imazhit.

Janë pikërisht të ardhurat nga e drejta e imazhit që ka qenë problematike për Agjencinë e Të Ardhurave, duke qenë se edhe evazioni fiskal i kryer nga lojtarët është kryer pikërisht në këtë fushë. Por, ajo që ka më shumë rëndësi për futbollin spanjoll është reduktimi i vazhdueshëm i borxhit të klubeve me organet fiskale.

Në vitin 2011, klubet i detyroheshin Agjencisë së të Ardhurave 752 milionë euro, ndërsa në dhjetor të vitit 2017, kjo shifër është reduktuar në vetëm 96 milionë euro. Reduktimi më i ndjeshëm i borxhit të klubeve u pa në periudhën 2013-2014, me 218 milionë euro. Drejtuesit e La Ligës kanë parashikuar që në vitin 2020, borxhi me Agjencinë e të Ardhurave do të ulet në vetëm 54 milionë euro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA