Pasi Akademia suedeze i anuloi planet e dhënies së Nobelit të Letërsisë këtë vit, një grup figurash të njohura në vend janë mbledhur bashkë për të krijuar një version alternativ të ceremonisë së çmimeve prestigjioze, në shenjë proteste ndaj skandalit që ka paralizuar këtë institucion.
Njoftimi i pezullimit u dha në muajin maj dhe ishte pasojë e akuzave për aggresion seksual ndaj Jean-Claude Arnault, bashkëshorti i njërës prej anëtareve të jurisë, Katarina Frostenson.
Ngjarja shkaktoi një tërmet të vërtetë, duke sjellë një valë dorëheqjesh dhe shtyrjen e ceremonisë së sivjetshme. Por tani, më shumë se 100 shkrimtarë, aktorë, gazetarë e figura të tjera nga fusha e kulturës kanë krijuar një akademi të re, e cila do ta dorëzojë çmimin e saj këtë vjeshtë, duke respektuar kështu afatin e përhershëm të Nobelit.
Në një deklaratë të përbashkët, ata thonë se vendosën ta hidhnin këtë hap me qëllimin që t’u rikujtojnë njerëzve se letërsia dhe kultura duhet të promovojnë demokracinë, transparencën, empatinë dhe respektin, pa asnjë privilegj, arrogancë apo gjurmë seksizmi.
“Në një kohë kur vlerat njerëzore po vihen çdo ditë e më shumë në dyshim, letërsia – theksohet aty, – bëhet një kundërforcë edhe më e rëndësishme në luftën kundër kulturës së heshtjes dhe nëpërkëmbjes”.
Akademia e re i ka ftuar të gjitha bibliotekat e Suedisë që të dërgojnë listat e tyre me autorët më të mirë, që duhet të kenë shkruar të paktën dy libra, një prej të cilëve të jetë botuar gjatë 10 viteve të fundit.
Top Channel