Thellohet kriza në Itali. Cottarelli nuk ka mbështetjen e partive

30/05/2018 09:26

Kryeministri i caktuar i Italisë, Carlo Cottarelli pritet të takojë presidentin Sergio Mattarella, mes raporteve se ngërçi politik mund të zgjidhet vetëm me mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ish-ekonomisti i FMN-së nuk arriti të siguronte mbështetjen e partive kryesore politike, e ka gjasë të mos e bëjë dot betimin.

Tani, sytë janë kthyer nga Mattarella, që në këtë situatë mund të vendosë ta anashkalojë ngritjen e një qeverie të përkohshme dhe të kërkojë përsëritjen e votimeve në muajin korrik.

Perspektiva e zgjedhjeve të reja në Itali dhe mundësia që partitë euroskeptike t’i forcojnë pozicionet e tyre ka trazuar tregjet financiare, e ka ngritur shqetësime mbi stabilitetin e Eurozonës.

Ekonomia e katërt më e madhe e bllokut europian është pa qeveri që prej zgjedhjeve të përgjithshme të muajit mars, dy fituesit e mëdhenj të të cilave, “Lëvizja 5 yjet” dhe “Lega Nord” arritën të gjenin gjuhën e kompromisit dhe të tentonin krijimin e ekzekutivit, por i braktisën këto përpjekje kur kreu i shtetit i vuri veton ministrit të tyre të Ekonomisë.

Mattarella e bëri të qartë se nuk do ta pranonte emërimin e euroskeptikut, Paolo Savona, në këtë post, me argumentin se një lëvizje e tillë shqetësonte investitorët, si brenda ashtu edhe jashtë kufijve.

Lëvizja e rrallë e presidentit shkaktoi zemërimin e të dyja forcave politike, që u kundërpërgjigjën duke thënë se do ta refuzojnë nga ana e tyre në Parlament “dritën jeshile” për Cottarellin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA