Agjencia Hapësinore Amerikane, NASA lëshoi me sukses në kozmos misionin e saj më të fundit drejt Mars. Sonda InSight do të jetë e para që vëmendjen do ta përqëndrojë tek brendësia e planetit të kuq.
Mjeti kozmik, i cili pritet të mbërrijë në nëntor në Mars, do të vendosë sizmometra mbi sipërfaqe për të diktuar tërmetet në planetin fqinj. Sonda do të masë edhe ndryshimet e temperaturës nën sipërfaqe, të dhëna që shkencëtar thonë se do të tregojnë përbërjen e brendshme të Marsit, duke hedhur më shumë dritë mbi formimin e planetëve 4,6 miliard vjet më parë.
Mjegulla e trashë nuk e ndaloi lëshimin e raketës Atlas nga baza ajrore Vandenberg në Kaliforni dhe nisja e misioni ishte perfekte. Tashmë shkencëtarët do të presin me muaj të tërë derisa mjeti kozmik të mbërrijë në orbitën e Marsit, aty ku nis edhe pjesa më delikate dhe e rrezikshme e misionit.
Zbritja në sipërfaqe do të jetë mjaft sfiduese dhe si të gjitha misionet para saj, sonda InSight do të kalojë 7 minutat e tmerrit. Kjo është koha që i duhet mjetit kozmik, i cili hyn në atmosferën e Marsit me 6 kilometra në sekondë, të ndalojë plotësisht në sipërfaqe.
Më shumë se gjysma e misioneve në Mars kanë dështuar pikërisht në këtë fazë.
Top Channel