“Nuk është një prioritet i madh në jetën time”, Ben Affleck flet për dashurinë dy vite pas ndarjes nga Jennifer Lopez

03/10/2026 21:13

Aktori i famshëm, Ben Affleck, ka folur së fundmi për jetën e tij sentimentale, rreth dy vite pas ndarjes nga ylli i muzikës, Jennifer Lopez.

Gjatë premierës së filmit të tij të ri “Animals”, 54-vjeçari u pyet nëse është duke u takuar me dikë. Affleck tha se aktualisht lidhjet romantike nuk janë ndër prioritetet e tij kryesore.

“Punoj shumë dhe kaloj kohë me fëmijët e mi. Nuk ka shumë hapësirë. Nuk është një prioritet i madh në jetën time”, u shpreh ish-bashkëshorti i Jennifer Lopez.

Aktori shtoi se ndihet mirë me mënyrën se si është jeta e tij aktualisht dhe se fëmijët janë prioriteti kryesor, ndërsa puna zë një pjesë të rëndësishme të kohës së tij. Ai nuk e përjashtoi mundësinë e një lidhjeje në të ardhmen, por tha se nuk po kërkon në mënyrë aktive një partnere.

“Jam i hapur ndaj saj, por nuk po përpiqem të ndjek diçka”, tha Ben Affleck.

Gjatë së njëjtës intervistë, Affleck u pyet edhe për një pretendim të Ana Navarro nga “The View”, sipas të cilit ajo kishte menduar ta prezantonte me këngëtaren Shakira. Aktori tha se nuk kishte dëgjuar më parë për këtë histori dhe e përshkroi si një tjetër shembull të thashethemeve rreth jetës së tij private.

Ndërkohë kujtojmë se Affleck dhe Lopez u ndanë në vitin 2024, ndërsa divorci i tyre u finalizua në janar 2025. Më parë, çifti kishte qenë në një lidhje në fillim të viteve 2000, përpara se të rikthehej së bashku dhe të martohej në vitin 2022.

Top Channel