Banka Botërore njoftoi sot se ka miratuar një fond prej 50 milionë dollarësh për ndërtimin e rrugëve Pogradec-Tushemisht, Fier-Seman dhe Qafa e Thores-Theth, që të treja rrugë me potenciale turistike.
Rruga Pogradec-Tushemisht është tërësisht e shkatërruar. Bashkia e Pogradecit nuk e gjeti dot një zgjidhje, por një lajm i mirë vjen nga Banka Boterore, e cila miratoi 50 milionë dollarë financim për tre akse rrugore me gjatësi 55 kilometra.
Bëhet fjalë për rrugën Fier-Seman, Pogradec-Tushemisht dhe Qafë Thore-Theth të cilat do ndërtohen së shpejti.
“Zhvillimi i turizmit do të përfitojë nga përmirësimi i rrugëve që çojnë drejt destinacioneve ekzistuese apo potenciale turistike. Projekti po ashtu do të ndihmojë integrimin e fermerëve në zinxhirin agro-ushqimor dhe pjesëmarrjen e tyre në tregje, veçanërisht të grave, të cilat përbëjnë shumicën e forcës së punës në bujqësi në Shqipëri”, shprehet Maryam Salim, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.
Sipas Bankës Botërore duhet të bëhet më shumë për të konsoliduar përmirësimet e rrjetit rrugor në mënyrë që të nxitet rritja ekonomike.
Top Channel