Negociatori iranian i drejtohet SHBA-së pas sulmit në Hormuz: Epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka mbaruar, paguani çmimin

12/07/2026 09:21

Kryetari i Parlamentit të Iranit dhe negociatori kryesor i vendit, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi pas sulmit ndaj një anijeje me flamur qipriot në Ngushticën e Hormuzit, duke deklaruar se “epoka e marrëveshjeve të njëanshme ka mbaruar”.

Në një postim të publikuar të dielën në mëngjes, Ghalibaf lëshoi një mesazh të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se Irani nuk do të pranojë më marrëveshje që, sipas tij, nuk respektohen nga pala tjetër.

“Ne ju thamë: Mbajeni fjalën ose paguani çmimin. Realiteti po troket në derë”, shkroi ai.

Bashkë me postimin, Ghalibaf publikoi edhe një paragraf nga memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, ku thuhet se “me nënshkrimin e memorandumit, Republika Islamike e Iranit do të bëjë rregullimet e nevojshme për kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa pagesë për 60 ditë”.


Deklarata vjen në një kohë kur tensionet mes Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur ndjeshëm pas sulmit ndaj një anijeje tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe kundërpërgjigjes ushtarake të SHBA-së ndaj objektivave iraniane, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

Top Channel