Alarm për bombë në selinë e Marinës Mbretërore britanike, policia e armatosur dhe qentë anti-eksplozivë rrethojnë bazën në Portsmouth
Detaje të reja janë zbardhur nga letra e fundit e Gianni De Gennaro, ish-kreut të Policisë së Shtetit në Itali, i cili u gjet i pajetë më 21 nëntor 2026 në pronën e tij në Toskanë.
Në një dokument prej tetë faqesh, të shkruar me dorë dhe të datuar më 20 nëntor 2026, De Gennaro ka lënë një dëshmi personale, ku mbron karrierën e tij në institucionet shtetërore, kundërshton akuzat ndaj tij dhe shpjegon arsyet përse kishte mbajtur në ruajtje një hard disk me dokumente të vjetra.
“Pas pak minutash nuk do të jem më këtu dhe, prandaj, e kuptoni mirë se një ‘i dënuar me vdekje’ nuk mund të gënjejë”, kështu nis letra e publikuar nga mediat italiane.
“Ky është testamenti im moral”, kishte shkruar De Gennaro në krye të dokumentit, shkruan “Corriere della Sera”.
Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet hard diskut, i cili ishte kërkuar nga hetuesit gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Prokuroria e Kaltanissetës. De Gennaro shpjegon se pajisja përmbante dokumente dhe materiale të mbledhura gjatë rreth 40 viteve të karrierës së tij profesionale.
“Këtu ndodhet objekti i dëshirave të të gjithëve, hard disku që të gjithë po kërkojnë. Ai nuk përmban mistere dhe as sekrete, por vetëm dokumente që dëshmojnë rreth 40 vite të një pjese të jetës sime, të mbushur me vuajtje dhe hidhërime”, shkruante ai.
Ish-kreu i Policisë u kërkonte hetuesve ta shqyrtonin pajisjen me kujdes, por pa paragjykime. Ai shpjegonte se fillimisht kishte ruajtur dokumentet në dhjetëra dosje fizike, por për shkak të vështirësive të transportimit dhe sistemimit të tyre, kishte vendosur t’i kalonte në format dixhital.
Sipas tij, me ndihmën e sekretares kishte transferuar materialet në një kompjuter dhe më pas, me ndihmën e të birit, i kishte ruajtur në një pajisje të re elektronike. De Gennaro pretendonte se nuk kishte dashur që dokumentet të përfundonin në duart e personave që, sipas tij, nuk ishin në gjendje të vlerësonin përmbajtjen e tyre.
“Jam përpjekur vetëm të shmang që pajisja të merrej nga persona që nuk i konsideroja të aftë për të vlerësuar përmbajtjen e saj”, thuhej në letër.
Ai përmendte gjithashtu dokumente që mund të shërbenin për të rikujtuar ngjarje të së kaluarës profesionale ose për nevoja të mundshme të drejtësisë, duke iu referuar edhe rihapjes së hetimeve për vrasjen e shkrimtarit Pier Paolo Pasolini, të vrarë në vitin 1975.
Në pjesën tjetër të letrës, De Gennaro përqendrohet te mbrojtja e figurës së tij dhe e karrierës shumëvjeçare në shërbim të shtetit italian.
“Dua t’u them të gjithëve se nuk e kam tradhtuar kurrë betimin tim të besnikërisë ndaj Atdheut. I kam shërbyer vendit tim me ndershmëri dhe besnikëri”, shkruante ai.
Më tej, ish-zyrtari pranonte se gjatë karrierës mund të kishte bërë gabime, por këmbëngulte se ato kishin ardhur gjatë përmbushjes së detyrave të tij.
“Ka shumë të ngjarë të kem bërë gabime, por gjithmonë dhe vetëm për të përmbushur detyrimet e mia. Për gabimet e bëra mund të kërkoj vetëm falje, por nuk mund t’i fshij ato”, vijon letra.
De Gennaro u përgjigjej edhe kritikave se kishte qenë një njeri i pushtetit, i lidhur me postet dhe funksionet e rëndësishme shtetërore. Për këtë arsye, ai përmendte disa figura të rëndësishme të politikës italiane, të cilat, sipas tij, mund të dëshmonin se nuk kishte kërkuar vetë emërimet në detyrat që kishte mbajtur.
Në letër përmenden Enrico Letta, Giuseppe Conte, Romano Prodi dhe Giuliano Amato, si dhe Gianni Letta, ish-sekretar i Këshillit të Ministrave gjatë qeverive të Silvio Berlusconit.
De Gennaro pretendonte se kishte kundërshtuar fillimisht emërimin në krye të kompanisë Finmeccanica dhe se Enrico Letta kishte ndërhyrë për ta bindur, deri në pikën që, sipas tij, ishte kërkuar edhe ndërhyrja telefonike e Presidentit të Republikës.
Për periudhën e Giuseppe Contes, ai shkruante se kishte tentuar të shmangte detyrën e presidentit të Bankës Popolare di Bari, por më pas kishte pranuar. Ai përmendte gjithashtu detyrën në krye të Eurolink, për të cilën thoshte se ishte kontaktuar nga Gianni Letta.
Duke iu referuar vitit 2007, De Gennaro kujtonte largimin nga posti i kreut të Policisë gjatë qeverisë së Romano Prodit. Sipas tij, vendimin e kishte mësuar gjatë një përgjigjeje të kryeministrit në Parlament, të transmetuar drejtpërdrejt në televizion.
Ai pretendonte se pas largimit nuk kishte kërkuar asnjë post tjetër, përveç mundësisë për të ushtruar funksionin e prefektit në cilindo qytet të Italisë.
“E sfidoj këdo të thotë se kam kërkuar ndonjëherë diçka për veten time”, shkruante ai.
Në një tjetër pjesë të dokumentit, ish-kreu i Policisë thoshte se gjatë karrierës ishte përpjekur të ndihmonte njerëzit që kishin pasur nevojë për të. Ai shprehte keqardhje që, sipas tij, nuk kishte bërë të njëjtën gjë për familjen e tij.
De Gennaro kërkonte gjithashtu falje ndaj personave që mund të ishin përfshirë pa dëshirën e tyre në problemet e tij me drejtësinë.
“Mund të kërkoj vetëm falje dhe të lutem për faljen e atyre personave që, pa dashur, i kam përfshirë në problemet me të cilat po përballen sot”, shkruante ai.
Hetimi për atentatin ndaj Paolo Borsellinos
Letra lidhet drejtpërdrejt me hetimin e Prokurorisë së Kaltanissetës, ku De Gennaro ishte nën hetim për dyshimet për devijim të hetimeve, me rrethanën rënduese të favorizimit të mafies.
Çështja lidhet me atentatin e 19 korrikut 1992 në rrugën Via D’Amelio në Palermo, ku u vra gjyqtari antimafia, Paolo Borsellino, dhe pesë pjesëtarët e eskortës së tij. Hetimet përfshijnë edhe zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” e Borsellinos, një dokument me shënime personale të magjistratit.
Prokuroria kishte kërkuar caktimin e masës së “arrestit shtëpiak” ndaj De Gennaros, por kërkesa ishte rrëzuar nga gjyqtari kompetent. Në letrën e tij, ish-zyrtari kundërshtonte akuzat dhe mbronte veprimtarinë e tij në institucionet shtetërore. Në përfundim, ai shprehte bindjen se e vërteta do të dilte në dritë.
“Shpresoj që mbi ortekun e gënjeshtrave që tani po më mbulojnë, në fund të mbizotërojë e vërteta”, ishte mesazhi i tij përmbyllës.
Dokumenti mbyllej me formulën zyrtare “Me besim”, e ndjekur nga firma e tij: Gianni De Gennaro. Ndërkohë, materialet e lëna prej tij, përfshirë letrat dhe pajisjet elektronike, janë vënë në dispozicion të hetuesve për verifikime të mëtejshme.
Top Channel