Bombardimet e kryera në Siri nga Amerika, Britania dhe Franca e bënë punën vet, i treguan kasapit Bashar al-Asad se ka për ta paguar shtrenjtë përdorimin e armëve kimike. Por puna e aleatëve nuk mbaron këtu. Asadi dhe mbështetësit e tij nga Rusia dhe Irani nuk duhen lejuar që të mposhtin forcat që ndaluan ISIS-in.

105 predhat shkatërruan tre ndërtesa që përdoreshin nga qeveria siriane për kërkime shkencore dhe prodhim të armëve kimike, pa dëmtuar forcat ruse në Siri, duke shmangur kështu rrezikun se mos Moska detyrohej të kundërpërgjigjej. Gjeneral-lejtnanti Amerikan, Kenneth McKenzie, tha se operacioni e ka kthyer me vite pas aftësinë e Sirisë për të krijuar armë kimike.

Rusia, Irani dhe regjimi i Asadit e dënuan sulmin si një veprim kriminal. Ironike, kur ky koment vjen nga një aleancë që ka bombarduar rregullisht spitale e shkolla, ndërkohë që ka lejuar tortura në masë dhe përdhunime.

Kremlini është shumë i zënë tani edhe me “Gënjeshtrën e Madhe”, përpjekjet e reja për të mohuar se Asadi ka përdorur armë kimike kundër rebelëve. Herë këmbëngulin se sulmi ishte i sajuar, herë fajësojnë Helmetat e Bardha, një grup i Ushtrisë së Lirë Siriane që ndihmon popullatën; dhe herë akuzojnë Mbretërinë e Bashkuar,  të cilët i fajësuan edhe për helmimin e ish agjentit rus në Britani.

Trupat e Ushtrisë së Lirë Siriane janë thelbësore për të shkatërruar ISIS-in, por tani janë kthyer në shënjestrat e radhës të Asadit dhe miqve të tij. Perëndimi jo vetëm që ka detyrim moral të mbrojë aleatët, por tani përballet edhe me domosdoshmërinë strategjike për të mos e lejuar Iranin të fitojë kontroll në të gjithë pjesën veriore të Lindjes së Mesme, një hark që nis nga Libani, vazhdon përmes gjithë Sirisë e deri në Irak.

Shpëtimi i këtij xhepi lirie nuk kërkon një prani të madhe të Perëndimit në terren, por nevojitet vullneti i duhur për ta shpallur Sirinë në lindje të Eufratit “zonë ndalimi fluturimi”, njësoj siç bënë fitimtarët e Luftës së Parë të Gjirit për Kurdistanin e Irakut.

Asadi do të vazhdojë ta sfidojë Perëndimin. Mënyra më e mirë për t’i hequr mundësitë ushtarake është të vihet një cak që nuk i kërcënon drejtpërsëdrejti interesat e Moskës në Siri, por dhe që mbron interesat e Uashingtonit dhe të aleatëve.

Pamundësia e presidentit Obama për t’i vendosur një vijë të kuqe Asadit dhe sjellja e tij e zbutur me Iranin dhe Rusinë u la armiqve të Amerikës dorë të lirë veprimi. Do të duhet më shumë se puna e një nate të vetme për ta zhbërë këtë.

Bordi Editorial i New York Post

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA