Kategoria Superiore do të vijojë sot me dy takime të tjera të javës së 28, teksa sfidat do të jenë shumë të rëndësishme sa i përket luftës për një vend në zonën europiane.
Kështu Laçi do të presë partizanin, për t’u rikthyer te fitorja, pas humbjes në Durrës, por edhe për të konsoliduar pozitat në vendin e 3-të të renditjes. Nga ana tjetër, të kuqtë kanë si synim Europën dhe për t’ia dalë, duhet të kthehen me 3 pikë nga Laçi, që duhet thënë se është shndërruar në një tabu për Partizanin.
Një tjetër sfidë interesante do të luhet edhe në Kamëz, mes vendasve dhe Kukësit. Vendasit ishin surpriza e sezonit për javë të tëra, por disa rezultate negative radhazi i kanë rikthyer edhe njëherë në valle për mbijetesë, ndaj në takimin me verilindorët duhet të fitojnë për t’iu larguar disi zonës së ftohtë.
Nga ana tjetër, kampionët në fuqi, Kukësi e ka përqendruar vëmendjen te Kupa e Shqipërisë, teksa në kampionat duken të konsoliduar në vendin e dytë dhe sot do të kënaqeshin edhe me një barazim.
Të dy takimet do të luhen sot në orën 14:00, ndërsa java e 28 do të mbyllet nesër në orën 17:00, me takimin Flamurtari-Skënderbeu.
Top Channel