PDIU kundër taksës së “Kombit”: Edhe Rruga e Arbrit të jetë pa pagesë

06/04/2018 17:50

Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet është rreshtuar kundër taksës së vendosur në “Rrugën e Kombit”.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, kjo forcë politike ka dy thirrje për mazhorancën. E para është heqja e tarifës prej 5 euro për autoveturat dhe 22 euro për kamionët.

“Rruga e Kombit” nuk është biznes, por arteria kryesore që lidh dy pjesët e një kombi që padrejtësitë historike i ndanë, por që ne s’mund t’i ndajmë akoma me politika të tilla, kur qytetarët e Shqipërisë paguajnë disa herë për rruget nëpërmjet pagesës së Taksës së Qarkullimit, Taks-Regjistrimi dhe Akcizë mbi karburantet”, thuhet në deklaratë.

Sipas PDIU-së, kjo tarifë godet edhe më shumë shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, por edhe turizmin.

Por, PDIU nuk është kundër vendosjes së tarifave, për akset e tjera kombëtare, por kërkon që këto tarifa të jenë të arsyeshme.
“Në përputhje me nivelin e të ardhurave të Shqiptarëve. Për PDIU-në, “Rruga e Kombit” dhe “Rruga e Arbërit” duhet të jenë pa pagesë.Këto janë dy arterie që lidhin Shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë”, vijon deklarata.

PDIU mbështet protestuesit kuksianë dhe kërkon lirimin e 11 personave që mbahen ende në burg dhe fton klasën politike për një dakortësi për integrimin europian, zbatimin e reformës në drejtësi dhe një ligj të ri për referendumet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA