Ferrari merr komandën në Çmimin e Madh të Bahreinit, duke dominuar tërësisht sesionin e dytë të provave të lira. Raikkonen udhëhoqi sesionin, ndërsa Vettel i mbrojti krahët.
Ferrari po e ruan formën e mirë të këtij fillimsezoni dhe pas suksesit në garën e Australisë, po vë në shina edhe garën e dytë, atë të Bahrenit. Me një sesion të parë të mirë, kokëkuqja e nisi të dytin bindshëm, duke bërë diferencën me rivalët. Ishte Kimi Raikkonen më i shpejti në këtë sesion, pasi ndali kronometrin në kohën 1.29.817, pothuaj 2 sekonda më shpejt nga kohët e sesionit të parë.
Pas tij me vetëm 11 të mijëtat u rendit shoku i skuadrës Sebastian Vettel. Kohën e tretë e arriti Bottas me gjysmë sekonde më ngadalë. Nuk ka qenë një ditë e mirë për Hamilton, që hasi vështirësi të përshtatet me gomat e buta dhe shumë të buta. Kampioni i botës u rendit në vendin e katërt.
Mori pjesë në këtë sesion edhe Verstappen që pati problem në të parin. Ricciardo ndërkohë, që udhëhoqi sesionin e parë e mbylli të dytin në vendin e gjashtë.
Top Channel