Përveçse një divë në skenën shqiptare, Tefta Tashko Koço përfaqësonte edhe modelin e gruas të emancipuar.
Të gjithë e kujtojnë me nostalgji “Kur më vjen burri nga stani”, apo pllakat e gramafonit me zërin e saj që bënë të njohur shpirtin muzikor të shqiptarëve, krahas edhe kompozitorëve të mëdhenj botërorë që ajo interpretoi.
Mbesa e saj, sopranoja Teuta Koço, sjell një pjesë të repertorit të Teftës në ditëlindjen e 75 të dirigjentit dhe muzikologut Eno Koço, në një koncert brezash, në 6 prill.
“Është kënaqësi e madhe që kam këtu djalin, vajzën dhe mbesën dhe nipin”, shprehet Koço.
Në këtë koncert do të këndojë edhe Anna, vajza e Teutës, e cila po ndjek rrugën e muzikës si pinjollët e familjes Koço.
“Ndihem më rehat kur këndoj me gjyshin sesa të këndoj me dikë tjetër që nuk e njoh. Më pëlqen më shumë”, thotë Anna.
Ndërsa sopranoja Teuta Koço thekson: “Kam emocion dhe presion që të mos ul standardin e këngëve aq të njohura të gjyshes”.
Po ashtu, violinisti Gent Koço ka një dhuratë të veçantë për të atin: “Do të luaj një pjesë të Ravellit, një nga më të preferuarat e babait tim”.
Kjo mbrëmje muzikore brezash do të mbahet të premten, në Universitetin e Arteve.
Top Channel