Në emisionin Procesi Sportiv, në Top Channel, ishte i ftuar ish trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, i cili foli për herë të parë pas largimit nga klubi i kuq.

Starova theksoi se ndihet i keqardhur për mënyrën se si e larguan nga Partizani, dhe thotë se kishte menduar një tjetër ndarje, më dinjitoze.

“Me Partizanin e kam mbyllur, pasi më ofruan të prish kontratën dhe unë po i respektoj deri në fund. Natyrisht që do të doja një tjetër ndarje, pasi kam 30 vite në atë klub dhe më dhemb zemra kur më largojnë kështu. Olsi Rama u justifikua se po ia lë skuadrën Dalipit, pasi dëshirojnë që të ndryshohet mënyra e stërvitjes, ndërkohë që dy muaj më parë, flisnin për mua se isha një ekspert i Superiores. Jam ofenduar nga ai justifikim, që Olsi nuk kishte pse e bënte”, tha ish trajneri i Partizanit.

Sulejman Starova tregoi se ka pasur edhe një telefonatë me Moggin, pas shkarkimit, teksa italiani ka paralajmëruar gjithashtu largmin nga Partizani.

“U habita kur Moggi më riktheu në detyrë si trajner dhe më tha se kishte pranuar gabimin, që më largoi nga pankina në verë. Pas shkarkimit më telefonoi dhe më tha se do të fliste me Presidentin dhe miqtë e tij në Shqipëri, për t’i njoftuar se as ai nuk do vinte më. Edhe Moggit nuk i kishte pëlqyer se si rrodhën ngjarjet”, u shpreh Starova.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA