Këtë të enjte ka nisur Botërori i 17 i Atletikës për salla të mbyllura, që zhvillohet në Birmingham të Anglisë. Rreth 600 atletë nga 150 vende të ndryshme do të garojnë në “Birmingham Arena” për 4 ditë me radhë, deri ditën e diel, kur do të zhvillohen disa nga finalet kryesore.
Sa i përket vendit tonë, Shqipëria do të përfaqësohet me vetëm një sportiste, e ajo është Luiza Gega, e cila do të marrë pjesë në garën e 1.500 metrave.
Siç ndodh rëndom edhe në këtë Botëror, Gega është larguar me një sërë kritikash dhe pakënaqësish nga Federata Shqiptare e Atletikës, apo ndoshta edhe nga shteti, ku sa i përket të parës, nëpërmjet një fotoje në Instagram ka theksuar sesi ka shpenzuar vetë për uniformën, ndërkohë që në një foto tjetër, me të mbërritur në Angli rithekson kushtet e vështira në të cilat është stërvitur.
Kategoria e 1.500 metrave do të zhvillohet më 2 mars, pasdite, që do të jetë edhe dita e dytë e këtij Botërori.
Ndërkohë, sa i përket kampionit tjetër të Ballkanit, Izmir Smajlaj, ai në këtë Botëror do të jetë vetëm një i ftuar si shikues, pasi është tërhequr nga gara duke ruajtur fizikun e tij, që sipas mjekut ka nevojë për pushim. Ai pretendon të jetë gati për Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Terragona të Spanjës, në muajin qershor, e më pas për kampionatin Europian, që do të zhvillohet në muajin gusht, ku do të përpiqet që të ruajë titullin që mban, edhe pse ky Europian i Berlinit nuk do të jetë më në salla të mbyllura.
Sa i përket Botërorit të Birminghamit, përfitimet financiare do të jenë në shifra shumë të larta, duke filluar nga 2 milionë dollarë që janë në dispozicion të fituesve të 6 kategorive të ndryshme, për të kaluar te 20 mijë dollarët për vendin e dytë, 10 mijë dollarë për vendin e tretë, 8.000 dollarë për vendin e katërt, 6.000 për të pestin dhe 4.000 dollarë për vendin e gjashtë. Për çdo atlet që do të arrijë të thyejë një rekord do të ketë një shtesë prej 50 mijë dollarësh bonus.
Top Channel