“Luftë krimit të organizuar”; Projekt me rekomandimet e deputetëve europianë për Shqipërinë

26/01/2018 15:14

Deputetët e Parlamentit europian dhe ata të Parlamentit shqiptar që janë anëtarë Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, do të mblidhen në Tiranë më 12 dhe 13 shkurt. Në përfundim të takimit do të miratojnë rekomandime, që reflektojnë shqetësimet e PE.

Në projektin paraprak që Top Channel disponon, theksi duket se është vënë te lufta ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe kundër krimit të organizuar.

Top Channel ka mundur të konsultojë projektin me rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri drejtuar autoriteteve shqiptare, të cilave u kërkohen rezultate të prekshme ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar se nuk mjafton vetëm hetimi dhe gjykimi, por duhen dënime. Projekt-rekomandimet, që mund të pësojnë ndryshime gjatë mbledhjes së 12-13 shkurtit, i bëjnë të qartë Tiranës se së bashku me zbatimin e reformës në drejtësi, lufta ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, konsiderohen tejet parësore. Për këtë, kërkohet përforcim i masave, veçanërisht përsa i përket identifikimit të rrjeteve kriminale që qëndrojnë pas këtyre trafiqeve.

Përsa i përket zgjedhjeve, projekti me rekomandimet që disponon Top Channel, në fazën aktuale nuk përmend probleme konkrete si blerja e votës, por duket se pranon një mungesë besimi ndaj procesit dhe thotë shprehimisht se mban në konsideratë raportin final të OSBE-ODIHR-it, ku janë të listuara të gjitha problemet me zgjedhjet e fundit. Për këtë, nënvizohet nevoja për të rikthyer besimin e publikut tek integriteti i procesit zgjedhor dhe rikujton se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë esenciale për të përparuar me anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Përsa i përket klimës politike, Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit pritet të ritheksojë rëndësinë e dialogut politik dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndër-partiak për reformat, ndërsa nënvizon se debati politik duhet të zhvillohet brenda në Parlament.

Pasi nënvizon nevojën për rezultate konkrete në zbatimin e reformës në drejtësi dhe vettingut, Komiteti apelon për caktimin e një date për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA