Mbanin të lidhur 13 fëmijët, arrestohen prindërit “monstra”

16/01/2018 09:34

Policia në Kaliforni arrestoi një çift vendas, pasi zbuloi se 13 fëmijët e tyre mbaheshin të mbyllur në shtëpi, një pjesë të lidhur me zinxhirë pas këmbëve të krevateve.

David Allen Turpin, 57-vjeçar, dhe Louise Anna Turpin, 49 vjeç, do të përballen tani me akuzat e torturës dhe vënies së të miturve në rrezik.

Fëmijët e moshave nga 2 deri në 29 vjeç u gjetën në një banesë në Perris, 95 kilometra në juglindje të Los Angelesit. Ishte njëra prej viktimave, një vajzë 17-vjeçare, ajo që u largua dhe lajmëroi forcat e rendit në numrin e emergjencës, përmes një telefoni celular të cilin e kishte gjetur në shtëpi.

Efektivët praktikisht u tronditën kur panë që në mesin e “të burgosurve” në shtëpi kishte edhe të rritur të moshave nga 18 deri në 29 vjeç. Që të gjithë mbaheshin në një ambient të mbullur, të errët e kutërbues, ndërsa tani po trajtohen në spitalet e zonës.

“Për stafin tonë ishte një moment nga ata që të copëtojnë zemrën, por njëkohësisht edhe i pabesueshëm”, tha drejtori i njërit prej këtyre spitaleve, Mark Uffer.

Mësohet se çifti i bashkëshorteve kishte jetuar për disa vite në Teksas, përpara se të shpërngulej në Kaliforni në vitin 2010.

Tupin, që së bashku me të shoqen nuk kanë dhënë asnjë shpjegim logjik përse i mbanin fëmijët në atë mënyrë, kishte shpallur dy herë falimentimin dhe herën e fundit që kjo ndodhi, mësohet të ketë pasur një punë të paguar shumë mirë si inxhinjer në kompaninë e aeronautikës dhe teknologjisë së mbrojtjes, “Northrop Grumman”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA