Nazisti që mbrojti portën e Manchester City

06/01/2018 17:50

Një pjestar i “të rinjve të Hitlerit” rritet dhe bëhet ushtar i Luftwaffe-s në Luftën II Botërore, kapet nga aleatët si i burgosur lufte dhe në fund bëhet hero i tifozëve në një finale kupe në Angli! Duket si një skenar filmi, por në fakt është historia e vërtetë e një njeriu që arriti të “mjekonte” sadopak plagët e luftës që kishin çuar marrëdhëniet mes Anglisë dhe Gjermanisë në pikën e tyre më të ulët.

Bert Trautmann është një prej portierëve më të famshëm në ishull dhe të gjithë e mbajnë mend paraqitjen e tij historike në vitin 1956, kur City, asokohe një emër i vogël i futbollit britanik, arriti të mposhte 3-1 Briminghamin dhe të rrëmbente trofeun e “FA Cup”. Më shumë se pritjet e tij, ajo që është skalitur në historinë e futbollit anglez është fakti që ai luajti 17 minutat e fundit të ndeshjes më qafë të thyer!

I lindur në 22 tetor 1923 në Bremen, Bernhard Trautmann, u dallua në sport që i vogël. Por edhe pse nisi një karrierë në Gjermani, iu bashkua forcave ajrore gjermane dhe fillimisht u vendos në Poloni në vitin 1941 e më pas në Ukrainë. Pas mësymjes sovjetike në frontin lindor, ai u transferua në atë perëndimor. Pas zbarkimit të aleatëve në Normandi, vendosi të kthehej në shtëpi, por u kap rob nga amerikanët dhe britanikët. Edhe pse më parë kishte arritur të arratisej i kapur rob nga rusët dhe francezët, këtë herë nuk ia doli.

Në Angli, i klasifikuar si “nazist” për shkak se i ishte bashkuar vullnetarisht ushtrisë së Hitlerit, qendroi në burgje të ndryshme ku shpesh luante edhe futboll. Në vitin 1948, pas një dëmtimi ndërsa po luante si mbrojtës, ndërroi vend me portierin dhe që prej asaj dite nuk doli më prej aty. Pas një periudhe të shkurtër me klubin St Helens, në vitin 1949 kaloi te Manchester City.

20 000 vetë protestuan në rrugët e qytetit për këtë veprim të skuadrës, por 14 vjet dhe 545 ndeshje më pas gjithçka kishte ndryshuar. U nda nga jeta në moshën 89 vjeçare në vitin 2013, në Valencia, ku jetonte prej vitesh me gruan e tij të tretë Marlis.

Për merita të veçanta në përmirësimin e marrëdhënieve anglo-gjermane i është akorduar edhe titulli “Order of the British Empire” ndërsa një tjetër bashkëpunim anglo-gjerman pritet të realizojë një film mbi jetën e tij aspak të zakontë.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA