Filozofia e agjencisë së udhëtimit “srprs.me” ndryshon shumë nga ajo me të cilën hasemi zakonisht.

Njerëzve u pëlqen t’i planifikojnë udhëtimet e tyre, por për kategorinë e adhuruesve të aventurës, që preferojnë surprizat, “start up”-i holandez do të ishte zgjedhja e duhur për shkakun e thjeshtë se, parimi i tij është të organizojë pushime misterioze!

Udhëtarëve, që kanë nevojë për t’u shkëputur pak nga jeta e zhurmshme e qytetit, u duhet të tregojnë 3 vende, të cilat nuk duan t’i vizitojnë.

Pastaj, një javë përpara nisjes, atyre u dërgohet informacioni i kushteve të motit në vendin ku do të zbarkojnë, por për destinacionin nuk do të dinë më shumë sesa kaq.

E vetmja gjë e sigurtë është se avioni nuk do t’i ulë në një ishull të shkretë. Drejtuesit e agjencisë këmbëngulin se e gjithë kjo vlen më shumë sesa një paketë e thjeshtë, pasi në këtë mënyrë mund të përfitosh një eksperiencë të re, mbi diçka të cilën vet ndoshta nuk do ta kishe menduar.

Ideja po shitet shumë mirë. Brenda 3 viteve të fundit, kompania është rritur me 3.000%. Koncepti u testua fillimisht te një grup prej 20 personash, kryesisht familjarë, e pas kësaj, marsin e 2013-s agjencia doli në treg ku mblodhi që në fillim 700 kërkesa, duke kapërcyer kështu dhe pritshmëritë e vet drejtuesve të saj.

Brenda kësaj kohe, “start up”-i ka mundur të shtrihet edhe në Belgjikë e Britani, e nuk ka ndërmend të ndalet këtu.

Top Channel