Tragjedi në SHBA, zjarrfikësja 36-vjeçare humb jetën, bie nga lartësia gjatë një shëtitjeje në natyrë

16/11/2026 22:58

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në Misuri të SHBA-së, ku një zjarrfikëse 36-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga një shkëmb rreth 15 metra të lartë, gjatë një shëtitjeje në natyrë.

Sarah Longest u gjet pa shenja jete të martën në mëngjes në parkun Pinnacles Youth Park. Sipas autoriteteve, ajo dyshohet se ka rënë nga shkëmbi rreth orës 10:15, raporton Daily Mail.

Shërbimet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe tentuan shpëtonin përmes ndërhyrjeve mjekësore, por fatkeqësisht përpjekjet rezultuan të pasuksesshme dhe 36-vjeçarja u shpall e vdekur në vendngjarje.

Sipas raportimeve, Sarah ishte duke bërë ecje në natyrë, kur ndodhi aksidenti. Zyra e Sherifit të Qarkut Boone ka marrë në pyetje personin që e shoqëronte dhe një dëshmitar tjetër.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, por deri më tani nuk ka dyshime se vdekja e saj të ketë ardhur si pasojë e një veprimi kriminal.

Lajmi për vdekjen e Sarah ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët e saj.

Babai i saj ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku shprehet se fjalët nuk mund ta përshkruajnë dhimbjen e humbjes së vajzës.

“Vajza ime ka lënë një boshllëk të madh në zemrat e shumë njerëzve. Jam jashtëzakonisht krenar që kam qenë babai i saj”, shkroi ai.

Edhe motra e saj e përshkroi këtë periudhë si një javë të paimagjinueshme, duke kujtuar lidhjen e ngushtë që kishin dhe kohën që kishin kaluar së bashku duke rritur fëmijët e tyre.

Ndërkohë, Departamenti i Zjarrfikësve të Independence, ku Sarah shërbente, publikoi një mesazh ngushëllimi, duke e cilësuar atë një pjesëtare të përkushtuar dhe të vlerësuar të ekipit.

Ajo ishte bërë pjesë e këtij departamenti në mars të vitit 2025, ku shërbente si zjarrfikëse dhe teknike për materialet e rrezikshme (HazMat). Gjithashtu, ishte pjesë e ekipit të mbështetjes për kolegët dhe kontribuonte në aktivitetet e sindikatës së zjarrfikësve.

Top Channel