Tragjedi në SHBA, zjarrfikësja 36-vjeçare humb jetën, bie nga lartësia gjatë një shëtitjeje në natyrë
Një ngjarje skandaloze ka tronditur Marinën Mbretërore Britanike.
Një 19-vjeçare në trajnim e sipër ka shpëtuar pa burg pasi akuzohej se kishte ngacmuar seksualisht katër rekrute femra, duke i ndjekur deri në dushe dhe në shtrat.
Bëhet fjalë për Able Seaman Lacey White, 19 vjeçe, e cila u dënua nga Gjykata Ushtarake e Bulfordit në Wiltshire, raporton Daily Mail.
Sipas akuzës, e cilësuar nga gjykata si “obsesive”, White i bënte viktimat të ndiheshin “të pambrojtura” gjatë trajnimit bazë në qendrën HMS Raleigh në Cornwall.
Gjykatës iu tha se White kishte ndjekur një rekrute vetëm 17 vjeçe në të gjithë bazën, duke i thënë se ishte “good girl” dhe “e bukur”, përpara se ta sulmonte seksualisht duke e prekur në zonën intime.
Në një rast tjetër tronditës, ajo kishte ndjekur një vajzë tjetër në bllokun e dusheve dhe ishte vendosur ngjitur me të, megjithëse 9 dushet e tjera ishin të lira.
“Lacey White e ndoqi në dushe dhe qëndroi në dushin ngjitur me të, ndërsa 9 të tjerët ishin të lirë. Në një rast, teksa viktima ishte e përkulur, e shtyu pjesën e pasme të trupit pas saj për rreth pesë sekonda”, tha prokurori i çështjes.
Akuzat e tjera përfshijnë kapjen e gjoksit të një rekruteje tjetër dhe përpjekjen për t’u futur në tualetin që ajo po përdorte, ndërsa këndonte këngë me përmbajtje seksuale për të.
“Isha nën moshë në atë kohë dhe duhet të ndihesha e sigurt në mjedisin e trajnimit. Në vend të kësaj, kam përjetuar diçka që ka pasur ndikim në shëndetin tim mendor. I besova Marinës Mbretërore të më ofronte një mjedis të sigurt. Nuk mund ta kthej pas ndjenjën e sigurisë dhe pafajësisë që kisha para se të ndodhte kjo”, deklaroi një nga viktimat.
White, e cila tashmë është larguar nga ushtria, e pranoi fajësinë në mëngjesin e gjyqit për dy sulme seksuale dhe dy akuza për sjellje të turpshme.
Avokati i saj, Ben Thompson, tha se ajo u bashkua me Marinën duke menduar se do të bënte miq për gjithë jetën, por “i keqkuptoi sinjalet sociale”. Ai shtoi se tani është diagnostikuar me autizëm dhe ka nisur trajtimin me antidepresivë.
Gjykatësi e dënoi me 18 muaj urdhër komuniteti, 160 ditë punë të papaguar brenda 12 muajve dhe detyrimin për t’u paraqitur në polici për 5 vjet si autore e veprave seksuale.
“Sjellja juaj ndaj tyre ishte përçarëse, poshtëruese dhe e padrejtë. Ju i keni shënjestruar qëllimisht viktimat tuaja dhe ndërsa neurodiversiteti juaj ishte një faktor, ju e dinit se çfarë po bënit dhe e dinit se ishte e papranueshme. Nëse do të ishe ende në ushtri, do të ishe shkarkuar menjëherë”, tha gjykatësi.
Top Channel